“Ministria e Krimit”, studentët në protestë kundër ekstradimit të Seitit

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë protestuan dje para Ministrisë së Drejtësisë kundër ekstradimit të financierit të bandës së Habilajve, Nazer Seiti drejt Italisë. Protesta e të rinjve është zhvilluar mesditën e djeshme përballë Ministrisë së Drejtësisë. Protestuesit shpalosën një parullë të madhe para Ministrisë së Drejtësisë ku shkruhej “Ministria e Krimit”. Studentët kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, si përgjegjësja kryesore për largimin e Seitit për të mbyllur çështjen Tahiri. Gjatë protestës, studentët u rrethuan nga forca të shumta policore.
Mësohet se pas protestës, policët e Komisariatit Nr. 3 në kryeqytet kanë shoqëruar 3 studentë që kërkuan dorëheqjen e Gjonajt. Pas këtij veprimi në Komisariat kanë mbërritur edhe deputetët e LSI-së, Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi. Nuk dihet nëse do të ketë procedim penal për studentët apo ndonjë masë më të lehtë.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mban përgjegjësi direkt për ekstradimin e Seitit. Ajo jo vetëm që ka pasur dijeni nga institucionet e vartësisë, por edhe ka kërkuar informacion nëpërmjet Drejtorisë së Burgjeve për shtetasin Nazer Seiti. Nëse do të kishte drejtësi në këtë vend, ministrja e Drejtësisë duhet të kishte përfunduar në burg për superskandalin e ekstradimit drejt Italisë të financierit të bandës së Habilajve. Ligji shqiptar e ndalon ekstradimin, kur një person ka një çështje penale në Shqipëri.