Milan do të kualifikohet në Romë

Milan barazoi pa gola kundër Lazios në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Kupën e Italisë, të luajtur në “San Siro”. Qendërmbrojtësi i kuqezinjve, Leonardo Bonucci, e sheh gotën gjysmë plot dhe mendon se skuadra e drejtuar nga Gennaro Gattuso do ta arrijë finalen në “Olimpico”. Milan i kishte mposhtur bardhekaltërit në ndeshjen e luajtur në kampionat, tre ditë më parë, megjithatë këtë herë nuk arriti të shënojë. Kjo nuk e pengoi futbollistin e ardhur nga Juventus gjatë merkatos së verës që të jetë optimist për arritjen e suksesit në Kupën e Italisë.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë sepse Lazio sulmoi shumë sidomos në pjesën e parë, por ne treguam se dimë të mbrohemi dhe dimë të vuajmë. Rezultati është pozitiv dhe mund të shkojmë në finale në ndeshjen e ardhshme, duhet të vazhdojmë të përmirësohemi ditë pas dite ashtu si po bëjmë. Të gjithë ne, duke nisur nga unë i pari kemi më shumë për të dhënë dhe mendoj se në pjesën e dytë të sezonit mund të arrijmë gjëra të rëndësishme. Kryesorja është që kemi larguar humbjet dhe paraqitet e dobëta. Do të kualifikohemi në Romë”, deklaroi kapiteni i Milanit.
Është mbyllur në barazim pa gola gjysmëfinalja e Kupës së Italisë mes Milan dhe Lazio në “San Siro”, kësisoj gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Olimpico”, më 28 shkurt. Në një ndeshje që ishte përsëritja e sfidës së fundit të Serie A, ku kuqezinjtë fituan 2-1, nuk pati shumë emocione dhe të dyja skuadrat menduan më shumë për të mos shënuar sesa për të pësuar.
Rastin më të mirë për shënim e pati turku, i aktivizuar në pjesën e dytë, Hakan Calhanoglu. Pasi portieri i Lazio, Thomas Strakosha, priti goditjen me kokë të Cutrone, topi përfundoi te këmbët e numri 10 të Milan, por ai gaboi çuditërisht me portën e boshatisur, vetëm 7 metra larg saj. Strakosha dhe portieri i Milan, Donnarumma ishin futbollistët më të mirë në fushë.
Vlen për t’u përmendur se mesfushori i Milan, Franck Kessie, luajti ndeshjen e 33-të sezonale në të gjitha veprimtaritë, asnjë futbollist në skuadrat e Serie A nuk ka luajtur kaq shumë. Në gjysmëfinalen tjetër të Kupës së Italisë, luajtur ditën e martë, Juventus fitoi 1-0 në fushën e Atalanta. Takimet e kthimit do të luhet pas një muaji.