Këshilltari Topallaj fiton gjyqin, 6 deputetë të Veliajt të paligjshëm

Gjykata ka vendosur se 6 anëtarët e Këshillit Bashkiak janë të paligjshëm. Gjykata vendosi kështu pas shqyrtimit të padisë së bërë nga Fabian Topollaj, anëtari demokrat i Bashkisë Tiranë.
Zoti Topollaj hodhi në gjyq Bashkinë me pretendimin se procedurat e ndjekura për zgjedhjen e gjashtë këshilltarëve bashkiakë në korrik 2017 janë në shkelje të ligjit.
Vendimi i Gjykatës Administrative bën që edhe të gjithë vendimet e Bashkisë Tiranë të marra prej korrikut e më tej janë nul. Ndër këto vendime janë vendimi i miratimit të rritjes së çmimit të ujit dhe dhënia me koncesion e 20 shkollave publike.

Deklarata e Topallaj

Jam sot këtu për të lajmëruar se Gjykata Administrative i ka hequr mandatin 6 këshilltarëve të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ka deklaruar absolutisht të pavlefshëm mandatin e këshilltarëve, të cilët e kanë marrë këtë mandat si zëvendësues të këshilltarëve që janë deklaruar deputetë nga zgjedhjet e 25 qershorit.
Kjo është një vendimmarrje shumë e rëndësishme e Gjykatës, e cila ka pasoja shumë të mira për qytetarët e Tiranës.
Kjo është një vendimmarrje, e cila sjell anullimin e pothuaj të të gjithë vendimeve të Këshillit Bashkiak nga data 26 korrik 2017 dhe në vijimësi dhe është një vendimmarrje, e cila rrëzon rritjen e çmimit të ujit për qytetarët e Tiranës. Një rritje kjo abuzive e bërë nga Erion Veliaj. Është një vendimmarrje, e cila rrëzon automatikisht me dhjetëra afera korruptive të bëra nga Erion Veliaj, të kaluara në Këshillin Bashkiak të kësaj periudhe.
Lajmi i mirë i anullimit të 6 mandateve të këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, është që më në fund pavarësisht se Erion Veliaj është përpjekur dhe ka blerë deri tani 4 këshilltarë të LSI-së, lajmi i mirë është që interesat e qytetarëve të Tiranës, sot në qytetin e Tiranës në Këshillin Bashkiak janë më shumë se interesat klienteliste të Erion Veliajt.
Unë në rolin e Këshilltarit Bashkiak, bëra detyrën time, duke ndjekur këtë çështje ligjërisht, për anullimin e të gjithë këtyre vendimmarrjeve abuzive dhe korruptive, siç është rritja e çmimit të ujit dhe dhjetëra afera korruptive të kaluara nga Erion Veliaj në këtë periudhë.
Shpresoj që opozita, e cila është me më shumë mandate sot në Këshillin Bashkiak, të ruajë këtë mazhorancë, sepse opozita në Këshillin Bashkiak, ka parësore interesat e qytetarëve, ndërsa Erion Veliaj që ka dalë në minorancë ka parësore dhe vetëm interesat e tij klienteliste dhe korruptive.
Lajmi për qytetarët e Tiranës është që Erion Veliaj ka kaluar në minorancë në Këshillin Bashkiak.
Kjo ka sjellë rrëzimin e të gjitha akteve korruptive. Falenderoj Gjykatën Administrative që ka dhënë një vendim tepër të drejtë në këtë rast.

– Nga e ka bazuar vendimin Gjykata?

Gjykata e ka bazuar vendimin në Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore, i cili parashikon krejt qartë proçedurën se si merret mandati i këshilltarit bashkiak. Në mbledhjen e 26 korrikut, 6 këshilltarë të PS-së nuk e kanë marrë mandatin sipas proçedurës ligjore. Kjo për shkak se Erion Veliaj nuk i kishte votat për t’iu dhënë mandatin në Këshillin Bashkiak 6 këshilltarëve të rinj. Vendimi është krejtësisht i qartë dhe efektet e tij janë pozitive. Anullon rritjen e çmimit të ujit dhe dhjetëra afera korruptive të Erion Veliajt të dhëna gjatë kësaj periudhe në qytetin e Tiranës.

– Çfarë ndodh me mandatin e këshilltarëve?

Për t’u rimandatuar duhet të bëhet proçedura nga e para. Është Këshilli Bashkiak ai që vlerëson se a duhet ta marrin apo jo mandatin këta këshilltarë, ashtu siç ligji e parashikon, por përpara se të ndodhë kjo, duhet të anullohen të gjitha vendimet që janë kaluar nga korriku i 2017-ës e këtej.