Frontex, patrullim edhe në ujërat shqiptare kundër drogës dhe terrorizmit

Prej ditës së djeshme, 1 shkurt 2018, ka nisur operacioni “Themis”, misioni i ri i agjensisë europiane Frontex për kontrollin e brigjeve dhe kufijve në Bashkimin Europian.
Pas kërkesave të vazhdueshme të qeverisë italiane e në mënyrë të veçantë të ministrit të Brendshëm, Marco Minitti, Agenzia Frontex ka vendosur dhënien fund të operacionit të mëparshëm Triton e nisjen e këtij misioni të ri për të ndihmuar Italinë në kontrollin e kufijve të territorit të saj.
Anijet e operacionit “Themis” prej ditës së sotme do të patrullojnë dy rrugë të reja detare; njëra në Lindje si Turqi, Greqi e Shqipëri dhe tjetra në Perëndim mes Tunizisë e Algjerisë. Gjithashtu do të vazhdojë kontrolli i kryer deri më sot në zonat e tjera në Mesdhe.
Mbi këtë mision të ri, drejtori ekzekutiv i Agjensisë Frontex, Fabrice Leggeri, ka deklaruar sot se, “Operacioni “Themis” do të jetë një operacion që do të kontribuojë jo vetëm për të përballuar e luftuar emigracionin klandestin, por dhe do të ndihmojë Italinë në luftën kundër krimit të organizuar siç është trafiku i drogës përmes Adriatikut”.
“Një përbërës i rëndësishëm i operacionit Themis”, shprehet drejtori i ekzekutiv i Frontex, “është bashkërendimi i punës me shërbimet e inteligjencës për të mbrojtur kufijtë e jashtëm nga sulmet terroriste e në zbulimin e mbërritjes së luftëtarëve terroristë përmes detit”.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për të parandaluar grupet kriminale të paidentifikuara që përpiqen të hyjnë në territorin e Bashkimit Europian”, tha ai.
Një tjetër risi e operacionit “Themis” është dhënia fund e detyrimit të zbatuar deri më tani të zbarkimit të emigrantëve klandestinë të shpëtuar në Mesdhe vetëm në brigjet italiane.
Nga sot, emigrantët që kapërcejnë Mesdheun do të zbarkohen në portin e tyre më të afërt që mund të jetë në Greqi, Maltë, Spanjë, Libi e Itali.

Alba Kepi