Etika në botën e teknologjisë

L. M. Sacass

Duket se jemi në mes të një ndërgjegjësimi, edhe pse mjaft të vonuar. Gjatë muajve të fundit është vërejtur një rritje e madhe e interesimit mbi etikën dhe pasojat politika që mund të sjellë teknologjia. Ky ndërgjegjësim dhe zgjim interesi doli në pah pasi u kuptua potenciali i një rrjeti social si Facebook kur përdoret si armë keqinformimi. Informacioni është një nga bazat thelbësore që mbajnë në këmbë demokracinë dhe teknologjia ka bërë që ai të keqpërdoret. Mjetet e informacionit që dikur i quanim të parëndësishme kanë rezultuar të jenë aq shumë të ngarkuara me ndikime politike dhe pasoja etike sa nuk mund të injorohen më.
Megjithatë, nuk është vetëm politika ajo që ka mundësuar ringjalljen e interesit për etikën në botën e teknologjisë. Prej kohësh janë lëshuar paralajmërime nga të gjitha anët në lidhje me shfrytëzimin dhe keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve, për paragjykimet e algoritmeve, kostot etike për përhapjen e inteligjencës artificiale dhe robotikës, si dhe të makinerive autonome. Pavarësisht këtyre aspekteve të tjerë, shumica janë të shqetësuar për mungesën e kujdesit të kompanive të mëdha të teknologjisë që duken të pavëmendshme, madje edhe indiferente ndaj pasojave etike të teknologjive që ata krijojnë.
Kohët e fundit, një grup me ish-ekzekutivë, krijues dhe investitorë të kompanive të mediave sociale kanë bërë deklarata tronditëse për atë që shumë prej nesh e dyshonin: media dixhitale shpesh dizenjohet në mënyrë të tillë të posaçme për t’i bërë përdoruesit të varur.
Ky rizgjim është një zhvillim i mirëpritur, edhe pse ende nuk dihet nëse do të jetë thjesht një pasojë momentale e frustrimit apo një realitet i qëndrueshëm që mund të sjellë ndryshime të vërteta. Megjithatë, edhe kur dimensionet etike të teknologjisë janë të njohura dhe të identifikuara, mund të jetë përsëri e vështirë të dish me saktësi se çfarë duhet bërë në kundërpërgjigje.
Ne marrim për të mirëqenë faktin se teknologjia është thelbësisht neutrale dhe të gjitha pasojat etike që sjell janë mënyra se si këto mjete neutrale shfrytëzohen nga agjentët moralë. Ky qëndrim mund të jetë deri diku i drejtë, pra nuk është i gabuar, thjesht i papërshtatshëm.
Është i papërshtatshëm për shkak se nuk merr në konsideratë edhe mënyrën se si krijohet një mjet teknologjik, arkitekturën e rrjetit apo koston e pajisjes, (për të dhënë vetëm disa shembuj), që krijojnë më pas predispozitat etike. Këto teknologji nxisin dhe joshin, futen në një rreth aksioni, vesesh, virtyti dhe karakteri dhe mbi të gjitha, ato formojnë perceptimin tonë për botën.
Nësi i analizojmë këto faktorë së bashku, kjo do të thotë se pavarësisht përdorimit specifik për të cilën krijohet, teknologjia sjell me vete edhe tendencën morale dhe etike dhe rrjedhimisht ato ndërmjetësojnë marrëdhëniet ndërmjet individëve dhe marrëdhëniet e tyre me botën që ndajnë së bashku. Këtu dalin në pah edhe implikimet politike.
Këto implikime politike janë shpesh rezultati i qëllimeve të ndërgjegjshme dhe tendencioze të një krijuesi. Ndonjëherë mund të jetë edhe pasojë e paqëllimshme e procesit të krijimit që ishte fokusuar vetëm në funksionalitetin e pajisjes, pa i dhënë shumë rëndësi impaktit etik dhe politik që do të sillte. Implikimet pra, nuk janë gjithmonë të mira ose të këqija që në krijim, por është e paevitueshme që teknologjia të ketë influencë të jashtëzakonshme në jetën e individëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.Ndërgjegjësimi për dimensionin etik të teknologjisë është pa dyshim një hap i parë i rëndësishëm. Hapi i dytë ka të bëjë me zgjidhjen e një dileme ndoshta akoma më të madhe: çfarë duhet bërë për ta zgjidhur? Kjo në fakt mund të rezultojë edhe më e vështirë se identifikimi i problemit. Shpeshherë ndërgjegjësimi për implikimet etike që mund të kenë teknologjitë tona, na shtyn vetëm të kuptojmë se sa të rëndësishme dhe të pashmangshme janë bërë ato, duke na bërë në njëfarë mënyre të pambrojtur përpara pasojave.Disa prej kritikëve më të mirë në botë të teknologjisë, si Jacques Ellul apo Neil Postman, janë akuzuar pa të drejtë se tregohen pesimistë në hipotezat dhe parashikimet e tyre. E vërteta është se ata janë thelluar vetëm në qëllimin e problemit, i cili është edhe hapi i parë drejt zgjidhjes. Në çdo rast, është e qartë se të trajtosh pasojat etike të teknologjisë është një punë shumë e vështirë. Të dalësh kundër teknologjisë në vetvete është mision i pamundur.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI