Dybala gati kundër Tottenham?!

Paulo Dybala po e provon, Juventus po shpreson! Data që ka rëndësi mbi të gjitha është ajo e sfidës së parë për 1/8-t e finaleve të Champions League kundër Tottenham, 13 shkurti i ardhshëm. Sulmuesi argjentinas do të bëjë të pamundurën për të qenë në fushë dhe rreth tij ka optimizëm, sepse kontrolli mjekësor i bërë dje tregoi se lojtari ka bërë progres drejt riaftësimit. Tërheqja muskulore e pësuar në ndeshjen ndaj Cagliari-t thuajse ka ikur dhe numri 10 i bardhezinjve mund të fillojë gradualisht stërvitjen. Për një javë ai do të stërvitet veçmas, ndërsa javën tjetër do të bëhet pjesë e grupit, pikërisht 7 ditë para ndeshjes më të rëndësishme të Juventus deri në këtë pikë të sezonit.
Ndjesia është që Dybala nuk do të jetë titullar kundër Tottenham, por kryesorja është që do të jetë në dispozicion të trajnerit Allegri dhe mund të aktivizohet gjatë ndeshjes. Shumë do të varet nga mënyra si do të reagojë muskuli i Dybala gjatë ngarkesës që do të marrë në javën e ardhshme. Allegri po mban frymën, ashtu si tifozët, teksa ka ardhur lajmi i mirë se Douglas Costa dhe Bernardeschi nuk kanë pësuar asnjë dëmtim të rëndë. Dy lojtarët që luajnë në krahët e sulmit ndoshta mund të mungojnë kundër Sassuolo-s, por do të jenë rregullisht në fushë në Champions.