Dokumenti që zbulon mashtrimin e ministres dhe e çon para drejtësisë

Zbulohet dokumenti që Drejtoria e Burgjeve i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë pas kërkesës së kësaj të fundit për Nazer Seitin. Në dokument shkruhet: “Vendimi nr.415 datë 08.11.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda me objekt: Caktim masë sigurimi ndaj shtetasit nën hetim Nazer Seiti”. Ky dokument zbulon mashtrimin e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila deklaroi publikisht se “nuk kishte dijeni dhe asnjë informacion për masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Nazer Seiti”.
Ministrja jo vetëm që ka pasur dijeni nga institucionet e vartësisë, por edhe ka kërkuar informacion nëpërmjet Drejtorisë së Burgjeve për shtetasin Nazer Seiti. Nëse do të kishte drejtësi në këtë vend, ministrja e Drejtësisë duhet të kishte përfunduar në burg për superskandalin e ekstradimit drejt Italisë të financierit të bandës së Habilajve. Ligji shqiptar e ndalon ekstradimin, kur një person ka një çështje penale në Shqipëri. Neni 149 i Kodit të Proçedurës Penale “Mospranimi i kërkesës për ekstradim” përcakton qartë.
Pika Ç: Nuk mund të jepet ekstradimi kur ka filluar proçedimi ose është duke u gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit.
Nazer Seiti ishte në qeli dhe me masë sigurie arrest me burg për llogari të Krimeve të Rënda, pasi u arrestua për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 19 tetor 2017, pas aksionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestruan 4 tonë drogë. Ministrja e ka ditur që ka qenë në gjykim në Shqipëri dhe prandaj nuk ishte ekstraduar Nazeri, pavarësisht se ka pasur 2 masa 20 ditore për ekstradimin!
Gjonaj ishte në dijeni të plotë për masën e sigurisë ndaj Seitit, por zbatoi urdhërin e Ramës për të larguar dëshmitarin kryesor të dosjes Tahiri-Habilaj me qëllim që të mbyllë përfundimisht çështjen Tahiri. Ekstradimi i financierit të bandës së Habilajve, drejt Italisë u bë një ditë, pasi Gjykata pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosi të zgjasë me 3 muaj të tjerë afatet e hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Saimir Tahiri.
Nazer Seiti ishte financier i bandës së Habilajve pasi ishte një nga njerëzit më të besuar për shkak të lidhjeve familjare me Habilajt. Seiti është i martuar me vajzën e xhaxhait të Habilajve. Largimi i tij drejt Italisë u krye në një kohë rekord për shkak se, Nazer Seiti u kishte kërkuar prokurorëve bashkëpunim për të treguar rolin e Tahirit në kanabizimin e vendit dhe trafikun e drogës drejt Italisë. Në kohën që Seiti kishte pranuar të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë, Rama urdhëroi degdisjen e tij drejt Italisë pa e regjistruar as në sistemin Tims!
Nezar Seiti u konsiderua si njeriu që kishte për detyrë organizimin e transportit detar të drogës dhe ndarjen e parave që fitohej nga shitja e saj. Në rolin e “financierit” të bandës, ai ishte përgjuar nga Antimafia italiane dhe përgjimet u dërguan edhe në Shqipëri.
Seiti ishte arkivi i organizatës kriminale të Habilajve, njeriu që dinte inventarin e parave dhe pagesave të bëra nga trafiku i drogës. Në memorjen e tij janë listëpagesat për policë, prokurorë, gjyqtarë e politikanë, infrastruktura mbështetese e bandës së trafikut të drogës. Seiti i bashkohet kështu të arrestuarve në Katania për t’u hetuar e gjykuar në Itali. Për prokurorët shqiptarë, Seitaj ishte një i burgosur i rëndësishëm, pjesë e dosjes ku është përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
41-vjeçari Seiti u ndalua në datën 19 tetor në Vlorë, gjatë një aksioni antidrogë, ku në fshatin Babicë u sekuestruan rreth 4 ton kanabis. Autoritetet italiane kërkuan ekstradimin e tij, duke qenë se ai është një nga njerëzit kyç të klanit ‘Habilaj’. Sipas prokurorëve, në përgjimet e palës italiane del se, Nazer Seiti komunikonte vazhdimisht me Moisi Habilajn dhe diskutonte me të për pazaret e drogës.