City nuk heq dorë nga mbrojtësi i Bayern

Pep Guardiola është gati të punojë sërish me Joshua Kimmich, duke sfiduar skuadrën e Barcelonës në garën për të marrë mbrojtësin e Bayern Munich. E përditshmja gjermane “Bild” ka shkruar se trajneri i Manchester City ka autorizuar investimin prej 60 milionë eurosh për të fituar konkurrencën e Barcelona-s. Bayern Munich nuk ka ndërmend ta lejojë të largohet mbrojtësin e djathtë, por do të jetë i detyruar të pranojë 60 milionë euro, nëse futbollisti zgjedh të largohet nga Bundesliga, në verën e ardhshme.
Drejtori sportiv i Bayern Munich, Michael Reschke, tha së fundmi: “Joshua kushton shumë. Unë nuk mendoj se Bayern do të pranojë më pak se 60 milionë euro”. Kimmich, aktualisht mbrojtësi i djathtë i skuadrës së Heynckes, është etiketuar nga shefi ekzekutiv i Bayern, Karl-Heinz Rummenigge, si pasardhësi i Philipp Lahm. Megjithatë, 23-vjeçari është fans i Guardiola-s, trajneri që i dha mundësinë e debutimit në “Allianz Arena” dhe do të ishte gati ta ndiqte te Manchester City.
Kimmich deklaroi pak ditë më parë: “Guardiola pa diçka te unë dhe nuk më ndihmoi vetëm një apo dy ditë, ai ishte gjatë gjithë kohës në krahun dhe në mendjen time. Nuk ka pasur askush ndikim më të madh se ai në karrierën time. Padyshim që i detyrohem diçka. Më mësoi se çfarë duhet të përmirësoja në stërvitje dhe ndeshje. Falë tij luajta me Bayern dhe jam një futbollist më i mirë”.