Zërat e lirë, e vetmja shpresë për t’u kthyer tek liria

Gazetarë, botues, publicistë e analistë, politikanë e personalitete të botës së televizionit u mblodhën dje në pritjen e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e mbajtur enkas me rastin e 27-vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës së parë opozitare në vend.
Mes batutash miqësore, trokitjen e gotave të verës, por dhe nostalgji, të pranishmit kujtuan e ndanë mes tyre momentet historike të viteve’90 që kulmuan në 5 janar ’91 dhe me themelimit e gazetës së parë opozitare në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se “Rilindja Demokratike” është sot një nga të paktat media të lira në Shqipëri. Ajo është ndër të paktat media, që është në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo interesave të atyre që grabisin dhe dëmtojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. “RD” nuk lufton për favore, por lufton për interesin publik.
Ai tha se, “Rilindja Demokratike” erdhi në jetë së bashku me pluralizmin politik dhe me lirinë e mendimit dhe të shpehjes. “Ajo arriti në skenën politike shqiptare si një uragan i fjalës së lirë, ishte drita e parë në errësirën mendore dhe shpirtërore që mbolli komunizmi. Asnjë institucion tjetër nuk ka bërë aq shumë për mbjelljen e ideve të demokracisë, të pluralizmit dhe evropianizmit se sa “Rilindja Demokratike”.
Askush tjetër nuk luftoi më shumë dhe më mirë gënjeshtrën, manipulimin, propagandën komuniste.
Askush tjetër nuk ka bërë më shumë se “RD” në fillimet e saj për kultivimin e një brezi të ri njerëzish të medias dhe të fjalës. Shumë nga ata që më vonë luajtën një rol të madh në median dhe demokracinë e vendit e mprehën penën në redaksinë e “RD”-së” u shpreh kreu i PD, Basha.
Kryeredaktori i gazetës “RD”, Bledi Kasmi e cilësoi 5 janarin e vitit 1991 si një ditë reflektimi që sot duhet t’i shërbejë më shumë se kurrë medias shqiptare, por gjithashtu edhe gjithë shoqërisë.
Në numrin e parë të gazetës në krye të saj kishte një postulat ku shkruhej se, “liria e gjithsecilit duhet të bëhet garante për lirinë e të gjithëve”. Sot pas 27 vitesh liritë e shqiptarëve po bien një e nga një bashkë me institucionet që do të duhet të ishin garante të atyre lirive të fituara.
Më 25 Qershor ka rënë e drejta e votës, e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. E drejta themelore që u fitua bashkë me pluralizmin. Sot nuk ka më zgjedhje, por ka vetëm zgjedhë dhe nga zgjedha kanë rënë thuajse të gjitha institucionet. Ka rënë legjislativi, ka rënë ekzekutivi, drejtësia është në grahmat e fundit, ndërsa pushteti i katërt është në një luftë për mbijetesë”.
Duke bërë një paralelizim midis diktaturës dhe asaj që shqiptarët po përjetojnë sot, Kasmi tha se, “Diktatura e krimit ka mënyra më të sofistikuara nënshtrimi se diktatura ideologjike. Pa bërë shumë filozofi, ne si gazetarë do të duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit. A do pranojmë të poshtërohemi dhe nënshtrohemi, duke na quajtur kazanë, legen, injorant një Kryeministër me fjalor hajvani apo do të zgjedhim të bëjmë të njëjtën betejë sikurse bënë ata që themeluan “RD”, 27 vite më parë, duke vendosur dinjitetin të parin”.
Kasmi tha se, nuk janë ditë të mira për gazetarët sot në Shqipëri, por theksoi ai në kohë të vështira kanë lindur vizionarët. “Ne kemi dy detyrime ndaj shoqërisë sot. E para është e vërteta dhe e dyta akoma më e vështirë është t’i japim zë shumicës së heshtur. Me 25 Qershor 78% e shqiptarëve zgjodhën të heshtnin”, tha Kasmi. Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, njëherëz edhe i PD-së, Edi Paloka, përmes një postimi në rrjetet sociale ka uruar 27-vjetorin e themelimit të “RD”-së. “Sot një urim nga zemra për gazetën që e para shpërndau fjalën e lirë në Shqipëri pas gati 50 vjet diktaturë. Krenar që isha një prej gazetarëve dhe drejtuesve të “Rilindja Demokratike” që nga ditët e para të saj. Respekt për të gjithë ata që kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë në “RD” .
Paloka shprehet krenar për vitet e kaluara si gazetar pranë gazetës “RD”, kohë kur ai ka qenë edhe një prej gazetarëve dhe drejtuesve të “Rilindja Demokratike” që nga ditët e para të saj. “Respekt për të gjithë ata që kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë në “RD” .Uroj të mos harrojnë se misioni i kësaj gazete që nga dita e parë e saj, ka qenë dhe mbetet shumë më i madh se sa thjesht dhënia e informacionit.
“RD” duhet të rilindi shpresën sa herë ajo të rrezikojë të shuhet e të forcojë besimin se asgjë nuk vlen më shumë se liria, sepse ajo është zëri i demokratëve, është zëri i Partisë Demokratike”, shkruan Paloka.