Wenger bind Ozil

“Dita e fundit” (dita e mbylljes së merkatos së transferimit) fillon me dy lajme të mëdha për Arsenalin. Njëri është zyrtarizuar herët, ditën e djeshme, tjetri është konfirmuar pas mesditës. Nënshkrimi i Pierre-Emerick Aubameyang është tashmë realitet, ndërsa nuk ka vonuar edhe rinovimi i Mesut Özil. Ky i fundit përbën një surprizë të madhe për “Topçinjtë”. Lojtari gjerman e përfundonte kontratën e tij aktuale me Arsenalin më 30 qershor. Ai kishte mundësi të largohej me kosto zero, pa asnjë pagesë, ndaj gjithçka tregonte se do të përfundonte duke e lënë “Emirates”. Nga Anglia u theksua se ai do të ndiqte hapat e Alexis Sánchez, për t’u bashkuar me Manchester United. Në “Old Trafford”, José Mourinho ishte duke pritur për të, me të cilin kishte punuar tashmë te Real Madridi. Ngjarjet, megjithatë, kanë marrë një kthesë të papritur.
Nga të dyja vendet, Anglia dhe Gjermania (“Bild”) theksohej se Özil ishte shumë pranë rinovimit të kontratës së tij me Arsenalin, ndërkohë që kjo është zyrtarizuar nga klubi anglez. Ardhja e Mkhitaryan dhe në veçanti, e Aubameyang, e kanë bindur turko-gjermanin në lidhje me projektin sportiv të Arsenalit. Özil, 29 vjeç, e ka zgjatur kontratën deri në vitin 2021, me një pagë prej 300.000 paundësh në javë, rreth 18 milionë euro në vit. Lojtari gjerman ka shënuar 4 katër gola dhe ka dhënë 6 asiste në 20 ndeshjet e Premier League, që ai ka luajtur këtë sezon. Që nga bashkimi me Arsenalin, ai ka shënuar 27 gola në 136 ndeshje në Premier League.