Vokshi: Nisma “3 lëndë në 6 orë” e paligjshme

Nisma “3 lëndë në 6 orë” ka shkaktur debate të ashpra në Komisionin e Edukimit. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla është thirrur në këtë komision për të sqaruar këtë nismë. Dy deputetë të opozitës, me detyrë dhe profesorë, Shezair Rrokaj dhe Luçiano Boçi kërkuan të tërhiqet nisma “3 lëndë në 6 orë” të bëhet pilotimi dhe më pas në shtator të vendoset nëse do të aplikohet. Shezair Rrokaj i LSI-së: “Nuk kam bindjen se kalimi nga 6 në 3 orë lehtëson kurrikulën arsimore. Kurrikula ka problem të madh. Kurrikula jonë dominohet nga informacioni përsëristës, dhe tepria në informacion. Ne ia zëmë kohën fëmijëve për të mësuar dhe jo menduar. Janë bërë dhe përmirësime. Mos duhet ta pilotojmë në fillim. Bëni një hap prapa për ta zhvendosur në shtator, duke e pilotuar nëpër shkolla dhe për të marrë një fidback më të gjerë. Ne duam të bëjmë si Holanda, por këtu nuk është Holanda as Filanda”. Tërhiquni nga nisma. Ju them si prind, jo në emrin tim personal për fëmijët e mi. Si radhë herë në natyrën time do ju lutesha ta tërhiqni, sepse nga ana pedagogjike jemi përballë një marrëzie”, tha Boçi. Pse nuk bëtë një pilotim. Jemi në mes të vitit dhe nisma ka impakt domino. Zhvendosja e orarit rrëzon planet analitike mësimore. Ky plan nuk mund të realizohet. Ju po rrëzoni arkitekturën e teksteve, planet mësimore, si mund ta bësh në mes të vitit?” Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi i ka kërkuar ministres të sqarojë se iniciativë e kujt është kjo nismë. “Ka ardhur nga portali, i ka shkuar kryeministrit, është nismë që e keni sjellë juve… na i sqaro. Nga ky informacion që na ka ardhur pesha e çantës është e fundit, pra nuk është pesha arsyeja e vërtetë. Pra kush e ka iniciuar, pse nuk ka një studim, kush janë modelet? Kush ka punuar, kush është grupi i punës, ku janë psikologët? E kemi me qetësi, është për fëmijët tanë nuk është për propaganda”. Në përgjigje të këtij shqetësimi, Nikolla pretendoi se “Në asnjë prej pyetjeve që keni çuar në Ministrisë e Arsimit nuk tregohet sesi ka ardhur kjo. Nuk është thelbi ky. Është një nismë që ka marrë vëmendjen e grupeve të interesit. Ndihuni mirë, sepse është një nismë që ndihmon në atë që është thelbi. Ndjehuni mirë, sepse është një betejë e fituar në emër të cilësisë në çdo shkollë”. Por pretendimet e ngritura prej saj u hodhën poshtë nga deputetët e opozitës. Ndërkohë dje, Kryetarja e Komisionit të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi, në një intervistë televizive ka folur për nismën e fundit të qeverisë “3 lëndë në 6 orë”. Vokshi ka thënë se, kjo nismë është e pabazuar në ligj. Ajo ka shtuar se vendi ynë është i pari në rajon që teston këtë metodë mësimi. Vokshi ka ngritur shqetësimin se kjo lëvizje është një tekë personale e Kryeministrit. “Në fillim u tha ka ardhur nga portalet e qeverisë. Kryeministri do të gjithë vëmendjen tek vetja. Nuk jemi kundra nismave të mira për arsimin. Duam të dimë, nëse kjo nismë ka studim të bazuar. Shqetësohemi mos është tek e Edi Ramës. Asnjë vend në rajon nuk e ka këtë mënyrë studimi. Nëse nisma është një tek e Kryeministrit duhet t’a dimë. Askush nuk e di nga ka ardhur nisma “3 lëndë në 6 orë”. Kjo nismë nuk ka asnjë bazë ligjore. Duhet të ngrihet një grup pune të thotë çfarë do bëhet. Nikolla nuk sqaroi se kush inicioi nismën. Na thanë që kishte një studim, nuk na e treguan. Kjo është e paprecedentë”, tha Vokshi.