Viktima e parë nga gripi, vdes në spital vajza 7-vjeçare

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spitalin e Durrësit, ku një vajzë 7-vjeçare ka humbur jetën. Mësohet se e mitura ishte paraqitur në spital në gjendje gripale. Vajza 7-vjeçare prej dy ditësh nuk ushqehej dhe më pas ra në koma dhe nuk u zgjua më. Sipas mjekëve të spitalit, vajza vuante nga një formë e rëndë gripi dhe ishte paraqitur në spital në gjendje të rëndë dhe me temperaturë shumë të ulët.
Prindërit kanë deklaruar se vajza prej dy ditësh ishte me grip dhe nuk arrinte të ushqehej. Ata e dërguan në spital, por ajo kaloi në gjendje të pavetëdijshme, duke u futur në koma. Ndërkaq mjekët kanë deklaruar se, vajza vuante nga një formë mjaft e rëndë e gripit, ose ndryshe i quajtur ‘gripi toksik’. Pas vdekjes së vogëlushes, mjekët e Spitalit të Durrësit janë mbledhur për të analizuar rastin. Nga ana tjetër, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për vdekjen e 7-vjeçares në Repartin e Pediatrisë. Në ambientet e Spitalit kanë shkuar edhe ekspertët e Policisë Gjyqësore, të cilët kanë sekuestruar kartelën e vajzës. Pritet që edhe specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë të shkojnë në Durrës. Sipas Prokurorisë, vajza ka mbërritur në spital në orën 17:00 të pasdites së dielë. Ajo ka rënë në koma pas disa minutave dhe nuk është zgjuar me. Prokuroria po heton procedurat që kanë ndjekur mjekët nëse ka apo jo neglizhencë.

“Gripi toksik”

Dy viruse të gripit po qarkullojnë në vendin tonë. Ndonëse sipas mjekëve nuk ka arritur ende piku i tij ata apelojnë për kujdes të shtuar, pasi tregojnë se personave me imunitet të ulët dhe me sëmundje të tjera mund t’ju marrë dhe jetën.
AH1N1 dhe ai i tipit B janë dy viruset e gripit që po qarkullojnë në vendin tonë. Situata gripale sipas mjekëve nuk ka arritur ende në kulm të saj megjithëkëtë ata apelojnë për kujdes të shtuar. Nëse një person ka imunitet të ulët, apo një sëmundje tjetër ai mund të përballet me atë që specialistët e quajnë gripi toksik e prej të cilit humbet jetën.
“Të gjitha llojet e gripit mund të gjejnë terren për të kaluar në problematikë madhore si A, si B.
Te pacientë me patologji primare, imunitet të rënë, trupi reagon në mënyrë të menjëhershme.
Entitet që vendoset se gjendja e pacienit kalon në mënyrë të menjëhershme në formë të rëndë, mund të kalojnë në gjendje të rëndë ata që kanë patologji primare, dhe në të njëjtën periudhë kalojnë gripin, jo më kot thuhet gripi të merr jetën e atyre që kanë imuntitet të rënë”.
Gripi manifestohet me shenja të zakonshme si djegie sysh, dhimbje muskujsh e kockash. Kur shqetësimet fillojnë dhe në rrugët e frymëmarrjes mjekët thonë se i nevojshëm mund të jetë shtrimi në spital. “Nga fillimi i temperaturës deri ditën e tretë të marrin mjekim ambulatory. Kur një situate virale zgjat, komplikacion vendosje problematike sekondare në traktin respirator ose shtim simptomash do të duhet jo vetëm të drejtohet tek mjeku, por dhe të shtrohet në spital”. Specialistët parashikojnë një shtim të personave të prekur me grip në muajin janar.