A duhet të arrestohet ministrja e Drejtësisë?

Ish-Kryeministri Berisha u shpreh dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD se, ministrja e Drejtësisë duhet arrestuar në flagrance për me ekstradimin e finacierit të Habilajve në Itali. Partia Demokratike ka zhvilluar mbledhjen e grupit parlamentar, e para pas protestës së 27 janarit, e cila mblodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhjetra mijëra shqiptarë kundër Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë mbledhjes, kreu demokrat Lulzim Basha kërkoi nga deputetët e opozitës që të vijojnë të mbajnë frymën e protestës jo vetëm gjatë seancave parlamentare, por edhe në mbledhjet e komisioneve.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe ajo e ekstradimit të nazer Seitit, i njohur ndryshe si financieri i Habilajve drejt Italisë. PD e ka cilësuar si tërësisht në kundërshtim me ligjin ekstradimin e Seitit, kjo edhe për faktin se ndaj tij kishte nisur një çështje penale në Shqipëri.
Mediat raportojnë se gjatë mbledhjes së grupit, ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ministrja e Drejtësisë. Etilda Gjonaj duhet që të arrestohet, pasi firmosi ekstradimin në Itali të financierit të Habilajve Nazer Seitit. “Ministrja e Drejtësisë me ekstradimin që ka bërë duhet arrestuar në flagrancë. Ekstradimi ka qenë akti më i rëndë në drejtësi”, citohet të ketë thënë Berisha.
Seiti u ekstradua pak ditë më parë në Itali në kuadër të hetimeve për dosjen Habilaj, ndërsa ndaj tij kishte dy masa arresti me burg në Shqipëri për sasinë prej 4 ton drogë që u kap në Vlorë.