Sulmi në Bashkinë e Dibrës, arrestohet zëvendëskryetari

Zv/Kryetari i Bashkisë Dibër, Ernolt Cani është arrestuar nga policia pas dhunës së ushtuar paraditen e djeshme në ambientet e Bashkisë. Sipas Policisë, Ernolt Cani akuzohet se në bashkëpunim me një tjetër person, ka goditur me grushte katër punonjës së Bashkisë.
Zyrtarisht, Policia njofton se: Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin Ernolt Cani, 34 vjeç, nga Peshkopia, me detyrë Zv/kryetar i Bashkisë Dibër, për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës, më shumë se një herë, të kryer në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 237 e 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu u shpall në kërkim e po punohet për kapjen e shtetasit L.(B).B. Burime policore sqaruan se ky i fundit nuk është punonjës i Bashkisë.
Arrestimi i Canit, shtojnë të njëjtat burime, u bë pasi rreth orës 09:05, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin L.(B). B, kanë goditur me sende të forta për shkak të detyrës në zyrën e tij shtetasit:
– D.M, 30 vjeç, me detyrë Drejtor i Burimeve Njerëzore në Bashkinë Dibër. Ky shtetas, pasi ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Peshkopisë ka dalë nga spitali;
– E.D, 33 vjeç, me detyrë inspektor INUV- në Bashkinë Dibër, pasi ka marrë ndihmën mjeksore në Spitalin Peshkopi ka dalë nga spitali;
– H.D, 48 vjeç, me detyrë specialist Auditi, në Bashkinë Dibër, vijon trajtimin mjeksor në Spitalin e Peshkopisë;
– L.D, 43 vjeç, me detyrë polic bashkiak në Dibër, ka marrë ndihmën mjeksore në Spitalin e Peshkopisë dhe ka dalë nga spitali. Materialet i kaluan Prokurorisë Dibër dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.