Situatë kaotike!

Në Manchesterin që mbështet United, situata është disi kaotike, ndërsa zërat për largimin e Jose Mourinhos shtohen përditë. Nuk është më një mister fakti që diçka është thyer në marrëdhëniet mes klubit dhe trajnerit luzitan, i cili nuk arrin të buzëqeshë si më parë, duke dhënë sinjale të qarta se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Shkëputja e rivalëve të City-t në krye të klasifikimit e ka rënduar jo pak situatën në radhët e “Djajve të Kuq” dhe tashmë hipoteza e një lamtumire të mundshme të “Special One” në fund të sezonit nuk është më një utopi. “Sindroma e vitit të tretë” që simbolizon krizën dhe që në Angli besohet verbërisht, duket se ka mbërthyer Moun, i cili në ndryshim nga dy vitet e para, po kalon përherë e më pak kohë në qytetin e Manchesterit.
Jose nuk ka blerë ende një banesë në qytetin ku punon, sepse Londrën e konsideron shtëpinë e tij ku shkon shpesh me avionin e tij privat. Drejtuesit më të lartë të klubit nuk e shikojnë aspak me sy të mirë këtë sjellje, aq më tepër që në krahun tjetër, rivali i tij Pep Guardiola po bën një punë të shkëlqyer kjo edhe për faktin që ai është 24 orë në kontakt me lojtarët e tij, pasi ka preferuar të jetojë me kohë të plotë në Manchester. Një tjetër çështje që krijon një hendek të madh mes portugezit dhe klubit është fakti që ai kërkon të menaxhojë çdo detaj, madje edhe emërimet në staf, gjë e cila nuk ka ndodhur në kohën e Louis Van Gaal dhe David Moyes.
Sulmi verbal kundër një emri të njohur si Paul Scholes me aq shumë kontribute në “Old Trafford” ka acaruar edhe më tej situatën, pasi një klub si United kërkon të ruajë me fanatizëm traditën dhe emrat që e kanë përfaqësuar dhe deklarata e Mourinhos se ka fituar më shumë se ish-mesfushori, nuk është pritur mirë. Ndoshta këtë herë me qëndrimin e tij publik, Mourinho ka shkelur në dërrasë të kalbur, sepse Scholes nuk përfaqëson vetëm një ish, por ai është një ikonë e gjallë e “Djajve të Kuq”. Në fund, por jo më pak rëndësi, kanë edhe zërat që vijnë nga Parisi për një interesim gjithmonë në rritje të sheikut Al Khelaifi. Te PSG, Mourinho do të kishte në dorë çekun e bardhë për të shpenzuar sipas dëshirës dhe ky është një fakt joshës për trajnerin portugez, i cili preferon ta ndërtojë skuadrën që dëshiron i lirë nga pengesat financiare.
Drejtuesit e Manchester Unitedit janë të shqetësuar rreth të ardhmes së Jose Mourinhos, i cili po mendon të largohet në fund të sezonit. “Daily Mail” shkruan se, Mourinho nuk është i lumtur në muajt e fundit dhe po e mendon largimin.
Arsyeja kryesore për pakënaqësinë e portugezit janë transferimet, pasi skuadra po refuzon të paguajë 45 milionë euro për Danny Rose. Ai po ashtu beson se skuadra nuk mund të konkurrojë me Manchester Cityn në transferime, skuadër e cila po kryeson kampionatin me 15 pikë më shumë se sa Unitedi.