“Shullazi”, i pandehuri Gilmando Dani kërkon kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve

Seanca gjyësore për çështjen Shullazi është shtyrë ditën e djeshme. I pandehuri Gilmando Dani kërkoi kohë për t’u përgatitur. Ai ka kërkuar kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve. Ndërkohë Emiljano Shullazi i ka qëndruar deklarimeve se është i pafajshëm dhe se nuk ka kërcënuar asnjë person.
Gjykata për Krimet e Rënda përmbylli fazën e marrjes në pyetje të Emiljano Shullazit në procesin ku ai është i pandehur për “gjobëvënie”, “kanosje” e “grup të strukturuar kriminal”. Shullazi rikonfirmoi qëndrimin e tij mohues ndaj akuzave të Prokurorisë dhe pretendimeve të bëra në kallëzimin e biznesmenit Ylvi Beqja.
“Nuk e kam kërcënuar asnjëherë Ylvi Beqjen”. Përmes kësaj fraze të kthyer gati në një refren prej tij, Emiljano Shullazi rikonfirmoi të hënën qëndrimin e tij mohues ndaj akuzave të Prokurorisë. Pasi dha shpjegime për prokurorët në seancën e kaluar, në këtë seancë Shullazi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga avokatët mbrojtës. I pandehuri tha se kishte firmosur tre akte noteriale gjatë marrëdhënies së tij me biznesmenin Beqja, i cili nga ana e tij pretendon se i ka dhuruar Shullazit një pjesë të ish-hotel Vollgës në kushte presioni.
“Noteret i njihte Ylvi Beqja. Unë nuk njihja asnjërën”, tha Shullazi. Sipas të akuzuarit si drejtues i një grupi kriminal të angazhuar në “gjobëvënie” dhe “kanosje” Ylvi Beqja kishte nënshkruar me dëshirë akt-marrëveshjet e bëra mes tyre tek noteri dhe se nuk kishte pasur asnjë shtrëngim ndaj tij apo personave të lidhur me të. “Nuk ka pasur asnjë arsye për mungesë vullneti nga ana e Beqjes. Ishte ai që më mori aty”, tha i pandehuri.
Ndryshe nga pretendimet e shfaqura më herët nga ana e biznesmenit Beqja, se Shullazi kishte shkuar tek noteret bashkë me “shpurën” e tij, vetë i pandehuri tha se kishte qenë i vetëm në këto takime. Pasi shpjegoi marrëdhëniet e tij miqësore apo familjare më të bashkëpandehurit, Shullazi i përjashtoi ata nga historia e gjobëvënies. Sipas tij, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk kishin asnjë dijeni mbi marrëdhëniet mes tij dhe biznesmenit Ylvi Beqja deri në momentin që u arrestuan. Më tej, Shullazi kujtoi se në një rast kur Beqja i kishte marrë një borxh prej 2 mijë euro Gilmando Danit. “Nuk di nëse ia ktheu më apo jo, s’i vura rëndësi”, tha Shullazi. Pas përfundimit të pyetjes së Shullazit trupi gjykues ftoi Gilmando Danin për të dhënë shpjegime. Ai dha pëlqim për t’u pyetur, por në një seancë tjetër, duke u bërë shkak për ndërprerjen e seancës.