Shqiptarët shpenzojnë për veshje 10 herë më pak se europianët

Një shqiptar shpenzon gati 10 herë më pak se një banor i Bashkimit Europian për veshje dhe këpucë. Përfundimi del nga krahasimi i të dhënave zyrtare që publikon Eurostat dhe Instituti Shqiptar i Statistikave. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve, në vitin 2016, shqiptarët shpenzuan 243 milionë euro në total për veshje dhe këpucë. E shprehur për frymë, rezulton se një individ në Shqipëri shpenzon vetëm 84 euro në vit për t’u veshur. Aq sa kushtojnë një palë këpucë të zakonshme. Por një qytetar i Bashkimit Europian shpenzon 9.2 herë më shumë për veshjen e tij se sa shqiptarët. Sipas Eurostat, në vitin 2016 familjet e Bashkimit Europian shpenzuan në total 395.4 miliardë euro për veshje dhe këpucë. Aktualisht BE ka një popullsi prej 510 milionë banorësh. Rrjedhimisht një qytetar europian shpenzon mesatarisht 775 euro në vit për veshje, nga 84 euro që shpenzon një shqiptar. Diferenca e madhe e shpenzimeve që familjet bëjnë për rroba mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë tregon nivelin ekonomik të dy vendeve. Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare e kanë të vështirë të përballojnë jetesën bazë dhe nuk mund të shpenzojnë para për veshje. Sipas INSTAT, gati gjysma e buxhetit të familjeve shkon për ushqime, ndërkohë që pjesa tjetër ndahet në zërat e tjera të shpenzimeve, përfshirë pagesën e faturave për shërbimet publike, në një kohë që një familje e BE-së shpenzon vetëm 12.3 për qind të buxhetit për ushqim.