Shkarkimi i vonuar i Haki i Çakos

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u shkarkua dje nga kryeministri Rama. Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme thuhet se, Çako u shkarkua nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Xhafaj e ka argumentuar kërkesën e tij, për shkarkimin e Çakos “me nevojën për ritëm më të shpejtë dhe dinamikë më të madhe pune, për një lidership të ri me energji të reja”. Në fakt, shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është bërë pas presionit të fortë të opozitës dhe ndërkombëtarëve.
Haki Çako gjatë dy viteve e gjysëm që ka qrnë në krye të Policisë së Shtetit ka zbatuar me përpikmëri urdhërat e Tahirit dhe Ramës për kanabizimin e të gjithë territorit të vendit dhe lejimin e trafikut të drogës drejt Italisë e Greqisë. Po ashtu, Çako zbatoi me përpikmëri urdhërin e Ramës për organizimin e bandave dhe trafikantëve të drogës në blerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar. Policia nën drejtimin e Çakos u vu në shërbim të banditëve për të ushtruar presion dhe terror tek zgjedhësit për të votuar Partinë Socialiste si dhe për blerjen e votave me paratë e drogës.
Për t’i mbyllur gojën Çakos, ministri Xhafaj e ka falenderuar Çakon dhe ka vlerësuar kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e tij në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit, pas shkarkimit të tij. Shkarkimi i Çakos u bë në prag të vizitës së prokurorit të ri të Antimafias italiane, Federico Cafiero de Raho. Bëhet e ditur se prokurori i ri i Antimafias italiane brenda janarit 2018 do të kryejë vizitën e parë zyrtare të tij në Shqipëri. Duket se Rama bëri kokë turku Çakon për t’i treguar kreut të Antimafias italiane se gjoja po lufton trafikun e drogës. Por ka dyshime të forta se shkarkimi i Çakos është bërë nga partnerët ndërkombëtarë.
Shkarimi i Çakos u komentua gjerësisht edhe nga politika. Lideri i opozitës, Lulzim Basha u shpreh për mediat se, shkakrimi i Çakos është shumë i vonuar dhe është një kokë turku, sepse krerët realë të trafikimit të drogës janë Rama, Tahiri dhe Xhafaj.
Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se, “shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako, është koka e turkut, ndërsa kupola e drogës është Rama”. “Njerëzit e Tahirit” apo të Xhafajt, janë në radhë të parë njerëzit e Ramës. Shkarkimi i Çakos, ashtu si i Tahirit, janë lëvizje të detyruara të Ramës. Rama “preu” kokën e Çakos me shpresë se do të shpëtojë kokën e tij”, tha Paloka.
Edhe kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Vasili e ka ironizuar këtë lëvizje, pasi sipas tij, ata që janë të suksesshëm dekorohen dhe nuk largohen. Sipas tij, Rama e shiti ish-drejtorin me të cilin priu dhe u bë njësh me bandat dhe trafikantët në zgjedhjet e qershorit. “Edhe i “suksesshëm” edhe e shkarkuan Haki Çakon. Të “suksesshmit” zakonisht dekorohen, ndërsa këta i heqin. Gjithë ajo drogë pa fund në kohën e Çakos ishte një arritje e “paparë” dhe me paratë e së cilës kryeministri bleu zgjedhjet. Çfarë kryeministri mosmirënjohës, si e shiti ish-drejtorin me të cilin priu dhe u bë njësh me bandat dhe trafikantët në 25 qershor dhe me të cilin na vuri në faqet e para të të gjithë medias botërore”, shprehet ai.