Shkarkimi i Çakos pak orë para vizitës së kreut të Antimafias italiane, a kishte Rama një ultimatum?

Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Vendimi është formuluar pas propozimit të bërë nga Ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj mbi largimin nga detyra të zotit Çako.
Por çështja shtrohet pse vallë zoti Çako shkarkohet në këtë moment?
Sipas fjalëve të qeverisë, zoti Çako ndodhej në lulëzimin e karrierës së tij. Puna e Policisë është ngritur në “Olimp’ që nga koha kur ministër i Brendshëm ishte Tahiri- tanimë nën akuzë për bashkëpunim me bandat kriminale. Por është edhe momenti kur ‘gjysma’ e qeverisë Rama, LSI që qeverisi katër vitet e kaluara bashkë me zotin Çako, ka kontestuar rëndë misionin e këtij në krye të Policisë së shtetit.
Sot është e hëna kur pritet që vendin tonë ta vizitojë shefi i Antimafias Italianë, dhe me sa duket, duhej që të mos gjente në krye zotin Çako… Apo është vetëm një ditë pasi operacioni ‘Xibraka’ ku prodhohej kokainë në Librazhd, u dekonspirua, madje edhe u prishën provat nga Policia e Shtetit.
Apo shkarkimi ka lidhje me qëndromin ndaj ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Të gjithë po thonë se qeveria po tenton me ‘jetë a vdekje’ që ta mbrojë. Por po thonë nga brenda klaneve se edhe Tahiri po kërcënon se ‘do të tregoj shokët’. Ndoshta për këtë arsye edhe i kanë hedhur ndër këmbë ‘kufomën’ e Çakos, dhe Tahiri merret ca ditë me këtë ‘lumturi’.
Bëhet akoma më e dyshimtë kur qeveria njoftoi se ministri aktual Xhafaj i ka shprehur falënderime zotit Çako për punën e mirë që ka bërë;…, por pas kësaj i ka thënë ‘ik në shtëpi”. A mos vallë e kanë larguar partnerët ndërkombëtarë pa dëshirën e askujt këtu brenda?!

Veritas.com.al