Shehu: Kompani të dyshimta prodhojnë medikamente në Shqipëri

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në një intervistë televizive ka ngritur alarmin në lidhje me kompanitë e dyshimta në prodhimin e medikamenteve që operojnë në vendin tonë. Shehu thekson se nën qeverisjen e Ramës nga Shqipëria po largohen kompanitë më serioze europiane në prodhimin e medikamenteve, duke iu hapur rrugë ardhjes së kompanive nga vende të dyshimta. Shehu thekson se me kompani jo serioze mund të punosh si të duash, ku mund të ulet cilësia e ilaçeve. Gjithashtu ai ka folur në lidhje edhe me shëndetësinë falas. Ai thotë se shëndetësia falas tashmë nuk ekziston më as si koncept. Ai thotë se ky është mashtrimi i radhës nga ana e qeverisë. “Pas katër vjet të qeverisjes së tyre ata nuk ditën të zgjedhin asnjë rrugë për shëndetësinë falas. Problemet janë shumë të gjera, jo vetëm për kategorinë e personave me diabet. Shëndetësia falas nuk ekziton më as si koncept. Nuk janë shtuar lista e medikamenteve që rimbursohen. Shëndetësia është lënë si një ‘kënetë’ e braktisur. Nga Shqipëria po largohen kompanitë më serioze europiane në prodhimin e medikamenteve. Pse ndodh kjo?! Ju hapet rruga ardhjes së kompanive nga vende të dyshimta. Me kompanitë jo serioze mund të punosh si të duash. Kompanitë serioze nuk ia lejojnë vetes që të prishin imazhin e tyre në vende si Shqipëria. Pra, në këtë mënyrë ne ulim cilësinë e medikamenteve. Qytetarët detyrohen që të paguajnë nga xhepi, pasi zgjedhja e parë është e një cilësie të ulët. Të jemi të qartë që nuk ka një reformë në drejtësi. Që të kemi një Reformë duhet që të ketë nga buxheti i shtetit rreth 2000 euro për frymë dhe jo 83 euro saç ne e kemi”, u shpreh Shehu.