Sektori i ndërtimit pesimist, ndërtuesit ankohen: Po punojmë me gjysmë motori

 

Sektori i ndërtimit në vend po punon me gjysmë motori. Shoqata e Ndërtuesve shpjegon se pavarësisht rritjes së lejeve të ndërtimit ka disa elementë që e bëjnë pesimist të ardhmen e këtij sektori. Sipas shoqatës shkak janë mungesa e investimeve, frenimi i shitjes së apartamenteve për shkak të ndërtimit në zona të gabuara si dhe ndikimi i taksës së infrastrukturës që paguajnë ndërtuesit.
Pavarësisht rritjes së lejeve të ndërtimit gjatë 2017 sektori i ndërtimit vijon të ndeshet me një sërë problemesh që e kanë frenuar këtë sektor.
Pas raportit të Bankës së Shqipërisë ku konstatohej se besimi për ecurinë e këtij sektori ishte negativ vetë ndërtuesit shpjegojnë se po ndeshen me një sërë vështirësish.
Shoqata e Ndërtuesve deklaron se, lejet janë dhënë kryesisht për zonën Tiranë-Durrës, ndërsa në rrethe ka mbetur pothuajse e njëjta situatë.
«Zona Tiranë-Durrës ka marrë pjesën më të madhe të ndërtimeve dhe në këtë zonë, industria e ndërtimit ka filluar të ngrihet sa i përket industrisë së pallateve, ndërsa pjesa tjetër e industrisë së ndërtimit ka punuar me gjysëm motori, pra me gaz minimal, sepse dihet nga prilli i 2017 deri tani buxheti ka qenë i bllokuar», shprehet Arben Dervishi.
Shoqata mendon se disa elementë të tjerë që ndikojnë në pesimizmin e këtij sektori janë shitja e apartamenteve, të cilat janë ndërtuar në zona të gabuara, mungesa e investimeve publike, por edhe taksa e infrastrukturës që mbetet e lartë.
«Ka efekte frenues siç është efekti i taksës së ndikimit në infrastrukturë që ka një vlerë të madhe. Ajo që do ta ngrinte shumë ndërtimi do të ishin investimet publike”, deklaron më tej Arben Dervishi.
Banka e Shqipërisë në raportin e saj e nxori sektorin e ndërtimit me ulje besimi në krahasim me tre mujorët e parë të vitit të kaluar.