Rikthehen në polici me detyra të reja shefat e shkarkuar të Elbasanit

Rikthehen në detyra të rëndësishme ish-krerët e Policisë së Elbasanit të shkarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako në tetor të vitit të kaluar. 12 zyrtarë të Policisë së Elbasanit u shkarkuan në kuadër të masave ndëshkimore që u morën pas ngjarjes së rëndë, ku një makinë e blinduar e personave me precedent penalë goditi automjetin e zv/drejtorit të Rendit, Gjergji Oshafi.
Pikërisht ky i fundit, pak muaj pas shkarkimit me akuzën e mosveprimit ndaj elementëve kriminalë, është emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Tiranës si specialist në Sektorin e Narkotikeve.
Ndërkohë ish-drejtori i Policisë të Qarkut të Elbasanit, Arben Dashi, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si drejtor i Analizës dhe Informacionit Kriminal.
Kryekomisar Zija Sulaj, pas shkarkimit në Elbasan është transferuar shef Komisariati në Dibër. Ky i fundit më parë ka mbajtur detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan. Kryekomisar Kujtim Muça është emëruar shef i Drejtorisë së Kufirit në Dibër.
Ish-drejtuesit e Policisë së Elbasanit u akuzuan vitin që shkoi se nuk vepruan në kohë, duke mos arrestuar autorin e goditjes ndaj nëndrejtorit të policisë. Autori i dyshuar i këtij incidenti, Enea Bekteshi u kap vetëm pas ndërhyrjes së forcave RENEA nga Tirana që u dërguan në Elbasan për të vënë në kontroll situatën.
Kreu i Policisë së Shtetit komandoi si drejtor policie në këtë qark Altin Qaton, nga Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë me qëllim ndryshimin e situatës dhe rritjen e forcës reaguese të strukturave të rendit.
Pak ditë më parë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zhvilloi në Elbasan një takim me strukturat lokale të policisë ku paralajmëroi hetimin e ngjarjeve të rënda pa autor dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në këtë qytet.