Rashica nis stërvitjen me Werder Bremen

Milot Rashica ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare me Werder Bremen, është prezantuar dhe ka nisur stërvitjen me skuadrën e Bundesligës. Ai u largua nga Vitesse në Holandë pas dy sezonesh mbresëlënëse atje. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës ka marrë fanellën me numrin 11, ndërsa ka thënë edhe fjalët e para si lojtar i Werder Bremenit. “Unë jam me të vërtetë i lumtur që jam në një klub kaq të madh të Bundesligës, me kaq shumë traditë. Mezi po pres ta nis këtë sfidë të re. Transferimi te Werder është një hap me të vërtetë i madh për mua. Jam i bindur se do të jemi në gjendje të dalim shpejt nga situata ku jemi dhe do të vazhdoj të zhvillohem shumë personalisht këtu”, u shpreh Rashica.
Drejtori sportiv i klubit gjerman, Frank Baumann, tha: “Ne jemi me të vërtetë të lumtur që kemi arritur marrëveshjen dhe kemi siguruar një lojtar me të vërtetë premtues, si Miloti. Trajneri i skuadrës, Florian Kohfeldt, shtoi se “është me të vërtetë i kënaqur që Miloti është bashkuar me ne. Ai është një lojtar me potencial të madh dhe mund të na forcojë menjëherë. Na jep shumë shkathtësi me cilësitë e tij”.
Werder Bremen, Freiburg dhe Hanover janë skuadrat që insistuan në merkaton e dimrit për futbollistin nga Kosova, që po finalizon kalimin në Bundesliga, me ndërmjetësimin e ish-mesfushorit të kombëtares shqiptare, Altin Lala. Vitesse mori një ofertë zyrtare prej 10 milionë eurosh për Milot Rashicën dhe kërkoi të përfitojë menjëherë, edhe pse futbollisti nga Vushtria konsiderohet mes talenteve më të mira në Holandë.
Që prej vitit 2015 kur aktivizohet te Vitesse, Rashica ka shënuar 13 gola në 86 ndeshje. Mesfushori i lindur më 28 qershor 1996, ka mbrojtur më parë ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë, para se të zgjidhte që me njohjen e Kosovës në FIFA, të luante për këtë përfaqësuese.