Raporti: Shqipëria me humbjen më të madhe të vendeve të punës në 2017

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në një raport të sapopublikuar mbi performacën e tregut të punës në Rajonin e Ballkanit, “Tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor: Performanca, Shkaqet dhe Zgjidhjet”, ka analizuar të dhënat mbi punësimin total të Ballkanit Perëndimor nga fillimi i tranzicionit deri më sot. Shqipëria rezulton një nga të paktat shtete, që sot ka më pak vende pune, sesa kishte në vitin 1993!
Sipas raportit, për periudhën 1993-2015, krijimi më i madh i vendeve të punës neto u arrit në Maqedoni (rritje totale prej 28.6% të numrit total të vendeve të punës), ndërsa Serbia ka shënuar humbjen më të madhe të vendeve të punës, e ndjekur nga Shqipëria. Në Serbi rënia ishte 11.4%, ndërsa në Shqipëri ishte 8.8%.
Sipas raportit të RCC, nga 2010 në 2016, numri i të punësuarve në Ballkanin Perëndimor u rrit me 300 mijë. Këtë konstatim e ka bërë dhe një raport i mëparshëm i Bankës Botërore “Prirjet në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2017”, i cili gjeti se përkundrejt kësaj tendence pozitive në gjithë Ballkanin, në Shqipëri punësimi kishte rënë me 2.4% midis periudhës 2010-2016. Kjo tendencë tregon se, punësimi ka vijuar të tkurret edhe pas vitit 2010 në Shqipëri, ndryshe nga Serbia, e cila raporton një rritje të punësimit me 11.2% në periudhën 2010-2016, çka tregon se rënia e periudhës 1993-2015 është shkaktuar nga ecuria negative deri në vitin 2010, kur Serbia ishte e zhytur në konfliktet e luftërave.
Maqedonia rezulton shteti që ka pasur performancën më të mirë të krijimit të vendeve neto të punës, si për periudhën 1993-2016 (+28.6%) ashtu dhe 2010-2016 (12.5%).

Sfidat e mëdha të tregut të punës

Sipas raportit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, sektori privat është kontribuesi kryesor i punësimit në ekonomitë e Ballkanit sipas të dhënave të punësimit sipas strukturës së pronësisë të mbledhura nga zyrat kombëtare të statistikave (Mojsoska-Blazeski, 2016).
Nga hapja rishtas e vendeve të punës përfitoi grupmosha 55-64 vjeç, për shkak të rritjes të popullsisë në këtë grupmoshë dhe ata me Arsim të Lartë.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal vlerëson se, tregu i punës është një nga sfidat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe social në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Normat e papunësisë janë dukshëm më të larta se mesatarja e BE-së, teksa karakteristikat strukturore të tregut të punës janë edhe më keq sesa statistikat zyrtare të tregut të punës.
Papunësia dhe pasiviteti i të rinjve, mosaktivizimi i grave dhe pjesa e të papunëve afatgjatë janë probleme të mprehta.
Sondazhet e Forcave të Punës tregojnë se në Malin e Zi, Serbi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, një në pesë të punësuarve punon në ekonominë informale dhe në Shqipëri ky tregues është më i lartë një në tre të punësuar në sektorin jo-bujqësor. Kjo pjesë e të punësuarve kryesisht rekrutohet nga shtresat e varfëra sociale, ka qasje të kufizuar në sigurimet shoqërore dhe mbrojtjen sociale, shpesh fiton më pak dhe nuk kontribuon në fondet sociale të sigurimeve.
Raporti i referon se shumica e ekonomive në rajonin e BP6, përveç Shqipërisë kanë zbatuar reforma për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të lehtësuar hapjen e bizneseve të reja.
Gjithashtu furnizimi i forcës së punës paraqet dobësi në të gjithë Ballkanin. Rajoni kryesisht përballet me nivele të ulëta të fertilitetit dhe rritjes negative natyrore, emigrimit dhe plakjes. Shkalla natyrore e rritjes së popullsisë në shumicën e vendeve është negative. Shkalla e migracionit është e lartë në të gjitha ekonomitë, pasi gjatë dy dekadave të fundit gati një e katërta e popullsisë është larguar nga rajoni. Si rezultat, popullsia e rajonit po zvogëlohet dhe plaket.