Rama dështon me programin e FMN, shtyn pa afat uljen e borxhit

Qeveria ka shtyrë uljen e borxhit publik me disa vjet më shumë krahasuar me programin e rënë dakord me Fondin Monetar, duke i lënë financat publike nën kërcënimin e borxhit të lartë. Në kuadrin e fundit markoekonomik dhe fiskal 2019-2021, që u miratua një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, thuhet se borxhi publik në vitin 2020 nuk do të jetë 59.6 për qind sa ishte projektuar më parë, por 63.5%.
Prej gati 5 vitesh në pushtet, qeveria e ka rritur borxhin me ritme të frikshme. Sipas të dhënave të paraqitura në Kuadrin Makro, rezulton se në fund të vitit 2017 borxhi publik i Shqipërisë rezultoi 71.5 për qind e Prodhimit Kombëtar, kur katër vjet më parë qeveria u zotua se do ta kishte ulur në 60 për qind.

Shqetësohen ndërkombëtarët

Ulja e borxhit ka dalë tërësisht nga programi i rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe kjo ka nisur të shqetësojë si FMN ashtu dhe Bankën Botërore.
Në dokumentet shoqërues të kredisë për politikat e zhvillimit, BB thotë se ulja e borxhit publik të Shqipërisë është shtyrë me disa vjet krahasuar me programin fillestar.
“Në fund të vitit 2013 parashikohej se borxhi publik i Shqipërisë do të arrinte pikun 71.7 për qind në vitin 2014 dhe më pas do të ulej. Por në fakt, borxhi kërceu në 73.7 në vitin 2015 dhe nuk pritet të ulet nën 70 për qind as nën 2017-ën”, thuhet në dokument.
Sipas Bankës dështimi i qeverisë për të ulur borxhin lidhet me një sërë faktorësh. “Ndër më kryesorët janë zhvlerësimi i lekut ndaj dollarit, rritja ekonomike më e ulët nga pritshmëritë, veçanërisht në vitin 2015 dhe ecuria e dobët e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar”, argumenton Banka Botërore.

Shpërdorim parash

Borxhi publik i Shqipërisë u rrit me ritme të shpejta në periudhën 2013-2015, duke kërcyer nga 62 për qind e Prodhimit Kombëtar në 73.7 për qind.
Qeveria përdori shlyerjen e detyrimeve të prapambetura si argument për të justifikuar borxhin, edhe pse shifra që ajo pagoi për këto detyrime ishte 2.5 herë më e ulët se rritja e borxhit.
Opozita dhe një sërë ekspertësh të pavarur kanë akuzuar qeverinë se ka marrë borxh për të financuar programe pa leverdishmëri ekonomike, duke shpenzuar për fasada apo projektin e rilindjes urbane.
Këto projekte kanë shpërdoruar qindra milionë euro, duke rritur barrën e borxhit mbi qytetarët, në një kohë që qeveria ka lënë pas dore investimet në sektorët prioritarë të ekonomisë si arsimi dhe shëndetësia.