Rakitiç humb vendin te Barça

Ivan Rakitiç mund të largohet nga Barcelona, pasi klubi katalanas mori Philippe Coutinho për 150 milionë euro, bën të ditur shtypi spanjoll. Mesfushori kroat është i pari te skuadra “blaugrana” që rrezikon të humbasë vendin pasi drejtuesit e klubit investuan për të marrë brazilianin nga Liverpool. “Diario Gol” ka shkruar se Arsenal dhe Liverpool janë klubet që do të synojnë ta marrin në skuadër gjatë verës së ardhshme.
Coutinho, i cili kompletoi të hënën transferimin nga Liverpool te Barcelona, do të luajë pas shpinës së Messit dhe Suarez dhe në këto kushte me Andres Iniesta që ka statusin e “të paprekshmit”, Rakitiç është lojtari i projektuar drejt stolit. “Unë mendoj se Coutinho mund t’i japë shumë skuadrës tonë duke luajtur si organizator ose si sulmues krahu. Fakti që mund të luajë në disa pozicione na ndihmon shumë. Do të jetë i rëndësishëm për ne”, tha trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.