Qeveria i paguan qiranë e banesës kryeprokurores Marku

Shteti shqiptar do t’i paguajë qiranë e banesës kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë, e cila ka vendosur që zonjës Marku t’i jepet një shumë mujore prej 350 mijë lekësh të vjetra për të paguar qiranë.
“Kompensimin, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.
2. Pagesa e kompensimit, deri në përfundim të periudhës së përkohshme, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme.
3. Shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe të rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme”.
Vendimi i qeverisë hyn në fuqi menjëherë. Arta Marku ishte në Prokurorinë e Shkodrës prej shumë vitesh ku edhe banonte.