Po kaloi PSG, vështirë ta ndalë kush Realin

Carlo Ancelotti foli qartë në “Corriere dello Sport” për ndeshjen e dyfishtë që do të përballë Real Madridin dhe PSG në 1/16 të Ligës së Kampionëve. “Ata kanë reaguar mirë kundër Valencias, unë nuk mendoj se janë në krizë. E vetmja garë që Real Madridi mund të fitojë tani, kjo është Liga e Kampionëve, kështu që do të përqendrohet totalisht në të”, tha trajneri i njohur italian.
Ish-trajneri i Real Madridit dhe PSG-së dha mendimin e tij mbi përplasjen e këtyre dy skuadrave: “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për atë që bën Zidane në Ligën e Kampionëve. Nëse nuk e ndalon Emery me PSG-në, do të jetë shumë e vështirë për t’i ndaluar ata. Sepse madrilenët kanë një lojtar, që kurrë nuk dëshiron të humbasë, si Cristiano Ronaldo. Nga ana tjetër, PSG-ja ka gjithçka për ta fituar Champions-in. Me Neymar dhe Mbappé ka marrë më shumë përvojë dhe më tepër cilësi se edicionin e kaluar. Parisienët janë më të pjekur dhe të rrezikshëm”. Së fundi, italiani vlerësoi Guardiolën dhe Manchester City, të cilët i sheh si favoritë për të fituar konkurrencën e lartë të klubeve të Europës. “Tani për tani, Manchester City është favorit për Champions-in, është më mirë se Manchester United në pikëpamjen teknike, por futbollit kurrë nuk i dihet”.
Pavarësisht kthesave të bujshme në futboll, kjo nuk do të ndodhë me Carlo Ancelottin, i cili nuk joshet për momentin që të jetë trajner i kombëtares së Italisë. Tekniku i njohur italian përsërit dëshirën e tij për të drejtuar një klub dhe jo ekipin kombëtar. “Federata tani, me ndihmën e Coni, duhet të krijojë një strukturë të re, pastaj të marrë vendimin. I qëndroj idesë sime: së pari duam qartësi. Më tërheq më shumë ideja për të drejtuar sërish në nivel klubi, që të luajmë në Champions”.
Dy fjalë edhe për Juventusin, që do të jetë e vështirë të mbërrijë deri në finalen e Kievit: “Është një ekip, që vështirë se mungon në fazat finale të Champions-it. Edhe kur fushë ka probleme, gjithmonë e gjen rezultatin, siç po ndodh tani. Kjo për shkak se ka një soliditet mbrojtës absolut, por me Tottenham nuk është e thjeshtë”. Së fundi, në lidhje me kampionatin italian, Ancelotti thekson: “Kur Juve ka uri, është e vështirë për t’u ndalur. Napoli është e vërtetë se po luan një futboll të mirë, por Liga e Kampionëve nuk është me fat”.