Pas nxënësve, Veliaj i kërkon edhe administratës 20 mijë lekë nga rroga

Në shumë institucione shtetërore punonjësve u është komunikuar se do t’u mbahen 20 mijë lekë të vjetra nga rroga, si kontribut për mbjelljen e pemëve nga Bashkia e Tiranës. Denoncimi është bërë te LAPSI.al nga disa punonjës, të cilët janë rezervuar të tregojnë identitetin e tyre nga frika se mos humbasin vendin e punës. Në kushtet e presionit për të ruajtur vendin e punës, punonjësit e administratës nuk guxojnë të mos paguajnë këtë kontribut, i cili në fakt ka trajtën e një gjobe të pastër. Është e habitshme se si Erion Veliaj bën presion për të mbledhur fonde për mbjellje pemësh, kur ndërkohë qytetarët e Tiranës paguajnë taksa.
Kontributi i tyre me taksat që shkojnë në arkën e bashkisë, është gjithashtu edhe për të mbjellë pemë, prandaj nuk bën sens të kërkohen fonde të tjera. Aq më shumë kur i gjithë ky proces nuk është transparent. Jemi para një vendimi arbitrar të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe vartësve të tij, për të cilin institucionet shtetërore duhet të reagojnë. Më herët gjatë ditës, Veliaj kishte sulmuar dhe linçuar publikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, një qytetar, i cili kishte refuzuar t’u jepte fëmijëve të tij lekët që i kërkonin mësuesit në emër të Bashkisë Tiranë për të mbjellë pemë.
Ndonëse Veliaj u mundua ta justifikonte këtë ngjarje me gjoja abuzim të drejtoreshës së shkollës, e cila paska kërkuar lekë në emër të Bashkisë Tiranë, në fakt ky nuk është thjesht abuzim i një drejtoreshe shkolle. Por një plan i pastër për të marrë të tjera para nga xhepat e qytetarëve. Ndonëse Bashkia e Tiranës është një institucion me superbuxhet dhe se Erion Veliaj i ka rritur taksat që kur erdhi në krye të saj, ai përdor tani manovra të tilla për të përfituar para të tjera nga qytetarët.
Urdhëri për administratën publike që të japë kontribut nga rroga për mbjellje pemësh, është direkt i dhënë nga ai vetë. Përtej ndikimit pozitiv në ambient që ka mbjellja e pemëve, jemi para faktit se punonjësit e administratës publike duhet të paguajnë para shtesë veç taksave të tyre, për të mbajtur gjallë propagandën e Erion Veliajt me fushatën e pyllëzimit.
Me urdhër të Veliajt arsimtarët dhe drejtoritë e shkollave të Tiranës që t’ju kërkojnë nga 100 lekë të reja për çdo fëmijë shkollor për të mbjellë pemë. Arsimtarët kanë kërcënuar fëmijët për të sjellë paratë e kërkuara nga Bashkia.
Më kanë kërkuar para në shkollën e vajzës së madhe edhe në kopësht, tek e vogla. Arsyeja është, sepse Bashkia e Tiranës ka hapur një fushatë ku i kërkohet të gjithë prindërve të paguajnë para për të mbjellë pemë!
Kryebashkiaku i Tiranës ka urdhëruar arsimtarët dhe drejtoritë e shkollave të Tiranës që t’ju kërkojnë nga 100 lekë të reja për çdo fëmijë shkollor për të mbjellë pemë. Para një muaji e njëjta vlerë u është kërkuar për të përmbyturit. Nuk është fakultative, por detyrim për çdo fëmijë. Një mesazh denoncues pranë Nisma Thurrje ka dëshmuar se si arsimtarët kanë kërcënuar fëmijët për të sjellë paratë e kërkuara nga Bashkia. “Ka arsimtarë që nëse nuk e zbaton urdhrin mund të ulë notën dhe kështu që demoralizojnë fëmijët e shkollës. Publikoje ju lutem”, bëhët e ditur në denoncim.