Paloka: Të gjitha bashkë për rrëzimin e Ramës

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, paralajmëroi dje se opozitës do t’i bashkohen edhe parti të tjera, qëllimi i vetëm i të cilave është largimi i Edi Ramës nga pushteti. “Protesta do të zhvillohet pas datës 20, me shumë gjasë data 27 janar. Të gjithë aktet e fundit kanë thelluar krizën në vend, dhe vendosmërinë e opozitës për një qëllim politik, largimin e Edi Ramës. Opozita e bashkuar sot, dhe parti që do afrohen shumë shpejt, parti të tjera jo të parëndësishme, do të bashkohen për largimin e tij. Ky s’mund të qëndrojë më kryeministër i Shqipërisë”, tha Paloka. Në një intervistë televizive, foli për lirimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe për protestën opozitare gjatë janarit. Për Çakon, Paloka tha se ishte vetë koka e turkut e radhës, por se përgjegjësi i vërtetë për kanabisin apo bashkëpunimin e policisë me krimin në vend, është vetëm Edi Rama, shkruan BalkanWeb. “Është i qartë komenti i Fatmir Xhafës, i bie që Çako është larguar për punë të mirë. Po këtë absurditet vetëm në këtë qeveri mund ta dëgjosh. Po kjo ndodh se Çako është koka e turkut e radhës. Se përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Ajo që ndodhi me kanabisin, bashkëpunimi i policisë me krimin në ato nivele nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Çakos dhe Tahirit. Çdo gjë është urdhëruar nga Edi Rama. Çako duhet të ishte larguar me kohë, s’duhet të dëgjonim lavdërime për të, po kallzim penal për të. Pas të gjitha fakteve të paraqitura nga Antimafia italiane, Çako duhet të ishte përpara drejtësisë. Edhe më naivi në këtë botë e kupton që Çako e Tahiri s’vepronin dot pa urdhrin dhe dijen e Ramës. Ai buzëqesh kur shkojnë e shkarkojnë, se diçka tjetër i kanë premtuar”, tha Paloka.