“Nënë Tereza” nuk kundërshton Aeroportin e Vlorës

Kur qeveria po bëhet gati të nisë negociatat me një konsorcium turk për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, vjen edhe reagimi i parë i kompanisë që ka koncesionin 22-vjeçar të Rinasit. Në një deklaratë për shtyp, Tirana International Airport u shpreh se mbështet çdo nismë që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të vendit dhe portave ajrore.
“Tirana International Airport (TIA) mbështet çdo nismë që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e portave ajrore, që bëjnë të mundur lëvizjen e qytetarëve dhe të huajve që duan të vizitojnë Shqipërinë.
Marrëveshja me qeverinë shqiptare për liberalizimin e fluturimeve e firmosur në vitin 2016, ka dëshmuar vullnetin e plotë të TIA-s për ndërtimin dhe hapjen e aeroporteve të rinj në Shqipëri dhe mbetet në mbështetje të këtij zhvillimi.
TIA u ka shërbyer vitin që shkoi 2.6 milionë pasagjerëve dhe do të vazhdojë t’u shërbejë me përkushtim, me ndihmën e vlefshme të punonjësve të saj dhe palëve të treta, që punojnë pa u kursyer për t’u siguruar pasagjerëve një udhëtim të qetë dhe të sigurt.
Kompania do të vazhdojë të kontribuojë siç ka bërë deri më tani, në rritjen e ekonomisë, në promovimin e imazhit të vendit dhe vlerave shqiptare, në mbështetje të fushës së edukimit dhe njerëzve në nevojë, me rol të rëndësishëm në punësimin e qytetarëve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës rreth e qark aeroportit, duke operuar me korrektësi sipas standardeve evropiane”, mbyllet deklarata e TIA.
Ky reagim vjen në kushtet ku prej ditësh në komisionet parlamentare po diskutohet drafti që autorizon qeverinë shqiptare të hyjë në negociata me kompaninë turke. Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në një zonë që aktualisht funksionon si bazë ushtarake në Akërni dhe pritet të jetë një investim me vlerë 100 milionë euro. Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, ka pohuar se investimi do gjenerojë të pakën 1 mijë vende të reja pune.