Mourinho: Ja përse kam zgjedhur të jetoj në hotel

Jose Mourinho ka bërë me dije se ai është i lumtur që jeton në një hotel në qendër të qytetit të Manchester, edhe pse për të do të ishte më mirë të jetonte “i vetëm”, në një shtëpi të madhe, pa pasur pranë ndihmësit. Trajneri i Manchester United jeton në hotel që nga vera e vitit 2016 dhe ka hedhur poshtë “thashethemet” se nuk është i lumtur me jetën në qytetin verior të Anglisë. Gjatë konferencës për shtyp, përpara ndeshjes së Kupës së Anglisë kundër Derby County, Mourinho ka sqaruar situatën e tij duke shtuar se do të kishte dëshirë të vazhdonte gjatë punën në “Old Trafford”, përtej tre viteve të kontratës.
“Tifozët duhet të dinë se unë jam i lumtur në Manchester. Nuk duhet të më shohin si një njeri i stresuar nga fakti që jam në një dhomë hoteli prej 18 muajsh, sepse unë kam një apartament brenda këtij hoteli dhe kam të gjithë mbështetjen dhe komoditetin që dua. Praktikisht i kam të gjitha dhe është njëlloj si të banoja në një shtëpi të madhe. Jam përtac jashtë fushës së lojës dhe praktikisht në hotel i kam të gjitha kushtet. Nuk jam aspak i trishtuar, sepse po të isha i trishtuar nuk do ta bëja mirë punën time. Jam i lumtur te Manchester United dhe uroj që e ardhmja ime të jetë në këtë klub. Kam shkruar historinë e Chelsea, duke fituar tre tituj te ajo skuadër, do të dëshiroja të shkruaja edhe historinë e United, sepse Europa League e fituar vjet është shumë pak”, deklaroi portugezi.