Mou, një përbindësh

Jose Mourinho ka bërë shaka dhe e ka përkufizuar veten si “një përbindësh që vret fëmijë”, teksa ka këmbëngulur se Marcus Rashford mbetet thelbësor për skuadrën e tij. Manchester United ka siguruar Alexis Sanchez javën e kaluar dhe ky operacion ka ngritur dyshime në lidhje me hapësirat që do të ketë sulmuesi i ri anglez në të ardhmen.
Kështu, Mourinho është tallur me reputacionin e tij si një trajner që nuk i jep mundësi të rinjve. “Historia e Marcus është interesante, sepse ai ka debutuar me Louis van Gaal, kur ekipi ishte në vështirësi. Më pas ‘përbindëshi që vret fëmijët’ mori drejtimin e skuadrës, por ai ka luajtur në çdo ndeshje që nga ajo kohë. Është aktivizuar gjithmonë, si titullar apo nga stoli, si qendërsulmues, sulmues krahu. Më pas është grumbulluar nga kombëtarja”.
“Ai po fiton shumë eksperiencë në çdo nivel, kështu që mendoj se e pret një ardhme e shndritshme. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë portugezi. Gjithsesi, trajneri i ka lajmëruar sulmuesit e tij se duhet të luftojnë për të siguruar një vend në formacionin titullar.
Manchester United ka zënë vendin e parë me më shumë të ardhura. “Money League”, renditja e 20 klubeve me më shumë të ardhura për sezonin e kaluar, ka gjeneruar rreth 7,9 miliardë euro. Kjo përllogaritje është bërë nga “Deloitte” në raportin e saj të përvitshëm, që ka arritur në edicionin e 21-të. Kjo renditje dominohet nga skuadrat angleze, me dhjetë prej tyre që janë mes 20 të parave.
Për vitin e dytë radhazi Manchester United ka zënë vendin e parë me mbi 676 milionë euro, teksa Real Madrid dhe Barcelona kanë zënë dy vendet e tjera të podiumit. Southampton (18) ka bërë debutimin në këtë renditje, ndërsa Manchester City është pozicionuar mes pesë të parëve. Leicester ka ngjitur gjashtë pozicione dhe ka shkuar në vendin e 14-të. Arsenal ka kaluar Paris Saint-Germain dhe ka shkuar në vendin e shtatë, ndërsa nuk kanë lëvizur Chelsea dhe Liverpool, në vendin e tetë dhe të nëntë respektivisht. West Ham është në vendin e 17-të dhe Everton mbyll renditjen në vendin e 20-të.
Juventus udhëheq skuadrat italiane në vendin e 10-të për vitin e katërt radhazi, ndërsa Inter ka bërë një hap të madh përpara, duke u ngjitur në vendin e 15-të nga vendi i 19-të, që është marrë nga Napoli. Për herë të parë Milan ka përfunduar jashtë 20 të parëve.
Olivier Giroud do të mbahet mend për gola spektakolarë te Arsenali, por sulmuesi francez në kaq vjet me fanellën e “Topçinjve” nuk ia ka dalë të hyjë në historinë e klubit. Futbollisti transalpin është bërë këtë fund janari objekti i një transferimi surprizë brenda të njëjtit qytet, duke kaluar te rivalët e Chelsea. Blutë e trajnerit Konte kanë pranuar të paguajnë 18 milionë paund për futbollistin që do të shtojë zgjedhjet në repartin ofensiv.
Klubet e Londrës ishin në bisedime prej një jave, por vetëm mbrëmjen e kësaj të marte Arsenali pranoi që ta dorëzonte në ekipin e “Stamford Bridge”, falë edhe negociatave pozitive me sulmuesin Pierre Emerick Aubameyang. Ky i fundit zbarkoi në Londër për vizitat mjekësore me Arsenalin, ndërsa marrëveshjet shkaktuan një efekt domino edhe për të tjerë.
Miçi Batshuayi nuk e bindi dot trajnerin Konte që ta mbante të paktën deri në qershor, pavarësisht golave në FA Cup. Sulmuesi do të huazohet te Borusia Dortmund me shpresën se do të ëndërrojë në Bundesliga, në rast se bind me gola në ekipin e “Signal Iduna Park”.