Marrëveshja me Greqinë, Shoqëria Civile protestë kundër Ramës

Shoqëria Civile paralajmëron protestë ditën e shtunë, për të kundërshtuar me forcë marrëveshjen shqiptaro-greke, ku kësaj të fundit mund t’i falen 12 milje hapësirë detare. Në një intervistë për “Channel One”, aktivisti Adriatik Lapaj thotë, se nëse një marrëveshje e tillë implementohet, atëherë bie qeveria. Lapaj nënvizon si të domosdoshme që pjesë e negociatave me Greqinë të bëhet edhe Presidenti i Republikës.
Aktivistë të Shoqërisë Civile kanë thirrur një protestë për këtë të shtunë, kundër nënshkrimit të ndonjë marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë, për atë që konsiderohet falje e 12 miljeve det shtetit helen.
Adriatik Lapaj, aktivist i Shoqërisë Civile, thotë, se nëse një marrëveshje e tillë, e lajmëruar nga ministri i Jashtëm grek, realizohet, ajo është antikushetuese dhe mund të kthehet në preçedent për largimin e qeverisë.
“E para, duhet të kalojë filtrin Kushtetues e pastaj të Parlamentit. Pastaj, filtri më i madh është ai i popullit, nëse populli nuk e miraton këtë gjë, atëherë është e kotë. Mund të bie qeveria, pastaj t’iu rrojnë dokumentat që këta nënshkruajnë. Ditën e shtunë qytetarët janë organizuar në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, në një protestë të madhe, për të treguar qëndrimin e tyre”, shprehet Adriatik Lapaj.
Nga ana tjetër, si jurist, Lapaj thotë, se negociatat duhet patjetër të kenë mbështetjen e Presidentit të Republikës, pasi në të tilla raste kemi të bëjmë me marrëveshje ndërshtetërore.
“Delegacioni i përfaqësuar nga ministri Bushati mund të hyjë në procese negociuese me palën greke vetëm në aspektin politik të negociatës. Ata nuk mund të hyjnë në terma konkretë, pa pasur plotfuqi nga Presidenti i Republikës”, thotë Lapaj.
Lidhur me aludimet për një marrëveshje të mundshme, Lapaj thotë, se ajo mund të konsistojë në zonën e Otrantos, por Shqipëria nuk ka një ligj për përcaktimin e vijës së brendshme detare.
Në këto kushte, nëse një marrëveshje është nënshkruar apo mund të nënshkruhet, atëherë ajo është antikushtetuese.
“E vetmja gjerësi ku arrihen 24 miljet e përbashkëta, është gjerësia mes Othonoit dhe Sazanit. Kjo do të thotë se, nga çka thuhet pala greke dëshiron të hyjë mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes ngushticës së Otrantos. Qeveria shqiptare nuk ka një ligj për përcaktimin e vijës së brendshme detare. Pala shqiptare, në asnjë rast sot, nuk mund të hyjë në një marrëveshje të shkruar me palën greke, pa miratuar në Parlament ligjin për përcaktimin e vijës së brendshme detare. Çdo marrëveshje që bëhet përtej këtyre piketave është e destinuar të jetë antikushtetuese”, thotë Lapaj.