Marku largoi Gashin për të mos penguar ekstradimin e Seitit

Avokati Çlirim Gjata u shpreh dje se, largimi i Rovena Gashit nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë për të ekstraduar lehtësisht Nezar Seitin në Itali. Gjata, thanë një prononcim për mediat tha se, shkarkimi mund të ketë lidhje me këtë çështje. Çlirim Gjata thotë se është e çuditshme ajo që ka ndodhur me procedurën e ekstradimit të këtij personi. “Rovena Gashi ishte Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Ajo nuk do të lejonte në asnjë mënyrë ekstradimin e Nazer Seitit drejt Italisë, pasi ai ishte në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo nuk mund të shkelte ligjin. Shkarkimi mund të ketë lidhje me këtë çështje”, u shpreh avokati Gjata.
Këtë deklaratë avokati e bëri pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku Rovena Gashi ka paditur Kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku, për largim të padrejtë nga puna. Avokati i prokurores Rovena Gashi kërkoi nga Gjykata Administrative të thirrej për të dëshmuar në gjyq Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku.
Gjata shprehu mungesën e një motivacioni zyrtar në urdhrin për lirimin e klientes së tij nga detyra e Drejtoresës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërsa juristja e Prokurorisë së Përgjithshme, Pranvera Gruda, tha se Gashit i ishte komunikuar verbalisht fakti se kishte shkelur ligjin dhe etikën kur nuk ishte konsultuar me kryeprokuroren para se të dërgonte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit për deputetët Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica.
Në seancë Gjata këmbënguli në faktin se, Marku nuk kishte kompetencë për urdhrin për lirimin e prokurores nga funksionet e saj. “Problemi qendron se cilat janë kompetencat e kësaj kryeprokuroreje. Sot u tha një motivacion që pse ka dërguar emrat në KQZ për heqje mandati. Pra, fakti që paska dërguar në KQZ emrat e disa personave të inkriminuar për heqje mandati e bën që kjo të lirohet nga detyra. E kuptoni se çfarë absurdi po jetojmë? Prandaj unë kërkova, të vijë se e ka ligji mbi bazën e kërkesave ligjore, qoftë ligji për gjykimet administrative, qoftë Kodi i Procedurës Civile që kur ka paqartësi thirret vetë Prokurorja e Përgjithshme. Personalisht të vijë të sqarojë gjërat, se nuk ka ndonjë gjë këtu”, u shpreh avokati Çlirim Gjata.
Përfaqësuesja e akuzës kërkoi kohë në lidhje me këtë kërkesë, ndërkohë që Gjykata vendosi të shtyjë seancën në datën 13 shkurt. Padia në Gjykatën Administrative është kundërshtuar nga zonja Gashi, e cila kundërshton urdhrin e lirimit të saj nga pozicioni i Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë.
Avokati Gjata e cilësoi të paligjshëm veprimin e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, dhe për të marrë me shumë sqarime në lidhje me procedurën e ndjekur kërkoi paraqitjen e saj në Gjykatë. “Arta Marku të paraqitet personalisht që të sqarojë arsyen e lirimit nga detyra të Gashit. Vetëm logjikë juridike në zbatimin e ligjeve nuk ka aty. I bëj thirrje të vijë. Por procesi do vijojë edhe nëse nuk vjen, sepse i paditur nuk thirret me zor në gjyq”, tha Gjata.
Rovena Gashi ishte Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, kur u largua nga kjo detyrë prej Markut menjëherë pas votimit të saj në Kuvend. Prokurorja Gashi po kërkon në gjykatë pezullimin e vendimit të Markut.