Manjani: Mbi çfarë ligji i paguhet qiraja e shtëpisë Arta Markut?

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar për vendimin e qeverisë shqiptare për t’i paguar qiranë e banesës, Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku. Përmes një shënimi në Facebook, Manjani thekson se, referuar Kushtetutës, qeveria që të marrë një vendim, duhet patjetër t’a autorizojë ligji për këtë gjë.
Me një fjalë, sipas tij, ligji duhet të përcaktojë të drejtën e qeverisë për t’a marrë atë vendim për atë çështje që rregullon ligji.
“Referenca që vendimi i bën neneve 4 dhe 45 të ligjit për Menaxhimin e sistemit Buxhetor, autorizon ministrin e Financave e jo Kryeministrin të propozojë vendime”, deklaron Manjani.
Sipas tij, në këtë vendim, ministri i Financave duket që është anashkaluar nga detyra e tij ligjore ose nga ana tjetër, çfarë pune ka qeveria të vendosë për fondet që i janë caktuar në ligj për buxhetin, një institucioni të pavarur nga qeveria?
“E thonë pastaj se nuk e ka kapur drejtësinë!”, thekson Manjani.
Ai shprehet se ky vendim mund të kishte sens, sipas nenit 45 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, vetëm nëse do t’i jepte Prokurorisë fonde shtesë nga fondi rezervë, por jo nga fondet që i janë caktuar Prokurorisë.
“Më në fund, mbi ç’ligj paguhet qiraja e shtëpisë së Prokurorit të Përgjithshëm?! Tre rrjeshta vendim dhe i ka shkruar me arrogancë sikur është pronari i pareve të shtetit! As ministrat e vet nuk i njeh…Jo se mbeti te ky vendim për t’u gjykuar ligjshmëria e këtij kryeministri, por thjesht sa për ta ditur! Le ta mbajmë shënim edhe këtë!”, shkruan Manjani.
Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e cila ka vendosur që Markut t’i jepet një shumë mujore prej 350 mijë lekësh të vjetra për të paguar qiranë.“Kompensimin, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.
Pagesa e kompensimit, deri në përfundim të periudhës së përkohshme, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme.
Shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe të rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme“.
Vendimi i qeverisë hyn në fuqi menjëherë. Arta Marku ishte në prokurorinë e Shkodrës prej shumë vitesh ku edhe banonte.