Lemar “parashuta” për Arsenal dhe Liverpool!

Trajneri i Monaco, Leonardo Jardim, nuk e ka përjashtuar mundësinë e shitjes së Thomas Lemar, gjatë merkatos së janarit, pasi Liverpool dhe Arsenal kanë trokitur sërish në dyert e klubit për të kërkuar shërbimet e tij. Futbollisti i kombëtares franceze, që zgjodhi të qëndrojë në “Principatë”, pavarësisht nga ofertat që pati vitin e fundit, tha se do të largohet në verën e ardhshme. Gjithsesi, Jardim pranoi se një ofertë e majme gjatë janarit mund ta ndryshojë situatën.
Liverpool e admiron prej kohësh 22-vjeçarin dhe pasi shiti Coutinho te Barcelona për 160 milionë euro, “të kuqtë” mund të investojnë lehtësisht në merkato. Arsene Wenger kërkon ta marrë te Arsenal për të zëvendësues Alexis Sanchez dhe gjatë verës së kaluar ofroi deri në 80 milionë euro për talentin e rritur te Caen. I pyetur për mundësinë e largimit të Lemar në janar, Jardim tha: “Nuk jemi mësuar të shesin apo të blejmë gjatë janarit, por shumë gjëra mund të ndodhin nëse vjen oferta e duhur”.