Kush po i kthen simbolet e komunizmit në Tiranë?

Kryqëzimi më i madh në Tiranë dhe një lagje e tërë njihen me emrin “21 Dhjetori”. Një emertim ky i mbartur nga diktatura dhe që ka mbetur në zhargonin popullor, por që nuk është emertim zyrtar. Por çfarë kuptimi ka dhe pse nuk duhet përdorur në tabelat zyrtare? Këtë e ka analizuar studiuesi Kastriot Dervishi i cili ka marrë shkas nga një tabele e vendosur në rrugë kohët e fundit nga Bashkia e Tiranës. Ai i kerkon Prokurorise te nise hetimet pasi nuk ekziston asnjë emërtesë zyrtare me emrin “21 Dhjetori”.

Sipas tij, marksist-leninistët zyrtarë në Tiranë që nuk lënë rast pa promovuar persekutorët komunistë me yje të kuq, postera të Enverit, etj. tani në shkelje të ligjit po i sulen emërtesave zyrtare.

Kështu, në mbikalimin e Unazës së Re, sapo është vendosur një tabelë treguese “21 Dhjetori”. Kjo emërtesë sovjetike është hequr qysh prej vitit 1990, së bashku me shtatoret dhe bustet e një prej kriminelëve më të mëdhenj të njerëzimit, Josif Visarionaviç Stalinit.

Vendosja e kësaj tabele si emertim zyrtar, shkruan Dervishi, është një fyerje e madhe edhe për shqiptarët që vuajtën nën diktaturë si edhe për faktin se Stalini ka qenë antishqiptar. Po kështu është veprim i dënueshëm në Kodin Penal pasi lidhet me veprat penale të falsifikimit, përhapjes e nxitjes së urrejtjes si dhe të shpërdorimit të detyrës nga cilido zyrtar që ka harxhuar paratë e shtetit në këtë mënyrë.

Dervishi i bën thirrje prokurorisë për të vepruar me nisjen e hetimeve kryesisht, pasi nuk ekziston asnjë emërtesë zyrtare me emrin “21 Dhjetori”.

Shënim: 21 dhjetori është ditëlindja e diktatorit sovjetik Stalin (1878-1953), udhëheqës i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitet 1924-1953 dhe për disa vite kryeministër i këtij shteti. Në Europën lindore shtatoret dhe emërtesat e tij u hoqën në vitin 1956. Riemërtesat siç po ndodh në Tiranë, nuk janë vërejtur në asnjë shtet dikur në lindjen komuniste.