Kryemadhi: Protestat do të jenë të pandalshme

“Më 27 janar në orën 12:00 do të jemi në shesh për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Protestat do të jenë të pandalshme, do të jetë tradhti kombëtare, nëse do të lejojmë Ramën të largojë shqiptarët nga vendi”. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka shprehur dakordësinë për protestën opozitare që do të zhvillohet mesditën e 27 janarit. Në studion e “News24”, Kryemadhi tha se protestat do të vijojnë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama. Sakaq, ajo ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste, e cila sipas saj ka për qëllim t’i rikthejë qytetarëve shqiptarë shpresën dhe mundësitë për jetesë më të mirë. “Sigurisht që jemi dakord më datën 27 janar. Bëhet fjalë për detaje të vogla që e vënë përpara protestën, që vë në lëvizje gjithë mekanizmin opozitar. Më 27 janar në orën 12:00 do të jemi në shesh për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Protestat do të jenë të pandalshme, do të jetë tradhti kombëtare nëse do të lejojmë Ramën të largojë shqiptarët nga vendi”, u shpreh Kryemadhi. E pyetur lidhur me detajet e protestës, kryetarja e LSI tha se, nëse e bën diçka të tillë “Rama do t’u shkojë në shtëpi njerëzve”. “Po të tregoj që tani detaje nga protesta, Edi Rama u shkon tek shtëpia njerëzve. Edi Rama nuk ka parë gjë akoma. Pasi, ai historikisht ka paur një plan, që e realizoi. E kanabizoi Shqipërinë, siç e tha edhe CIA”, u shpreh Kryemadhi. Sakaq, kryetarja e LSI ka komentuar edhe qëndrimet e partive të tjera opozitare, të cilat ishin pjesë e listës së PD në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. “Fronti opozitar ka nevojë për çdo grimë opozitare. Ne duam bashkimin e çdo opozitari për të rrëzuar këtë qeveri. Ne nuk duam vende në listat e deputetëve të PD dhe as nuk duam të ndajmë thelat e një qeverie imagjinare. Sot, Shqipërisë po i rrezikohet demokracia. Dhe që të ketë demokraci, duhet të ketë opozitë të fortë. Qëllimi i vetëm është rrëzimi i Edi Ramës. Ky është problemi i madh i shqiptarëve. Më datën 27 në orën 12:00 ne jemi në shesh. Koha e Edi Ramës mbaroi, dhe nuk ka për t’u kthyer më, pasi ka shpërngulur shqiptarët, ka shkatërruar familjet shqiptare, ka shkatërruar ekonominë, ka larguar investitorët. Do të ngrihen të gjithë ata shqiptarë që janë kundër gjobave, kundër korrupsionit, kundër dhunës. Këtu problemi është Edi Rama, dhe largimi i tij. Ky është qëndrimi ynë, dhe bashkëbisedimi që kemi me Bashën është për këtë. Ne kemi votat tona dhe elektoratin tonë, dhe PD nga ana tjetër ka hyrë bashkë me partitë e tjera”, tha kryetarja e LSI. Mes të tjerësh, Kryemadhi pohoi se protesta e 27 janarit do të jetë demokratike dhe nuk do të ketë përshkallëzime. Ajo tha se nuk do të ketë ndalesë, pasi nuk do të ndalet më populli. “Ata kanë nevojë që të drejtohen (qytetarët). Edhe zoti Basha e tha, nuk është çështja e çadrës, sesa e një revolte që ka ardhur hap pas hapi, ku po shohim se ça po ndodh me kapjen e institucioneve shtetërore, me mosrespektimin e elementëve dhe njerëzve që hiqen nga puna. Po të tregoj që tani (detaje nga protesta), Edi Rama u shkon tek shtëpia njerëzve. Edi Rama nuk ka parë gjë akoma. Pasi ai historikisht ka pasur një plan, që e realizoi. E kanabizoi Shqipërinë, siç e tha edhe CIA. Nuk do të ketë ndalesë, pasi nuk do të ndalet më populli, edhe sikur do të dojë të ndalet populli. Them nuk do të ndalen, jo të përshkallëzohet situata me tulla apo gurë”, tha ajo. Mes të tjerash kryetarja e LSI-së iu rikthye sërish deklaratës së saj për ‘çizmen e protestës’. “Çizmet e protestës është kundër çizmeve të drogës. Protestat janë demokratike. Nëse nuk do të ndërtojmë një opozitë të fortë, Shqipëria nuk ka demokraci. Shqipëria është një vend që e bekoi Zoti, por vetëm me politikën se besoi. S’kemi pasur protesta të dhunshme, deputeten nuk e gjakosëm ne. Ne do të jemi prezent në çdo seancë. Nuk do i japim shanset Ramës që mëkatet e tij t’ja kalojë opozitës. Ai sot që se ka LSI, e ka të gjithë kazanin vet, tepsinë vet, lavatriçen vet. Ne jemi në një marrëdhënie të legjitimuar me Parlamentin. Edhe vet socialistët janë të bindur që ai do të ikë. Jam e bindur që do të ikë, pasi do ta rrëzojnë vet socialistët”, theksoi Kryemadhi. Po ashtu, Kryemadhi u ndal edhe tek shkarkimi i Haki Çakos nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa shtoi se kjo ishte një lojë e Ramës për hequr vëmendjen nga protesta. “Ishte lojë e Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga protesta. Janë skema demode që bën Rama. Frika e ka nxjerrë nga bërja e politikës së bukur, e ka futur në një situatë shumë demode. Duke u ndalur tek kërkesa e LSI që dorëzoi në Prokurori ku kërkohej të hetohej Edi Rama për përfshirjen e Policisë në zgjedhjet e 25 qershorit për blerjen e votave. “Zonja Marku nuk është prokurore e përkohshme. Letrën ia kemi bërë që në kohën e zgjedhjeve, ia kemi dërguar edhe Llallës. Sa i takon faljes së Ramës, është si puna e kësaj historie; vret dikë ti Ola dhe thua më pas më fal. Mos pandeh ta shohësh Ramën duke vaditur parcelat me kanabis”, nënvizoi Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së Kryemadhi u ndal edhe tek deklaratat e saj herë pas here se kryeministri Rama do të arrestohet. Ajo tha se ky është rasti kur zonja Marku, kryeprokurorja e re, duhet të tregojë paanshmërinë e saj. “Zonja Marku duhet të tregojë se është një prokurore e paanshme. Po ti thash të gjitha ty, ça do them ditë të tjera. Nuk dua t’ja lehtësoj Ramës”, tha ajo. Teksa u ndal tek një nga çështjet e këtyre ditëve, siç ishte heqja nga KQZ e mandatit të deputetit të saj, Gledion Rehovica, Kryemadhi tha se tashmë nuk ka vlerë diskutimi kur vendimi u mor. “Ne si LSI e kemi votuar ligjin e dekriminalizimit dhe besoj se pavarësisht opinioneve që mund të ndajmë, tashmë çfarëdo lloj argumenti, s’ka më kuptim. Vendin e tij do e zërë Silva Caka”, theksoi ajo.