Kryemadhi: Front i fuqishëm opozitar për rrëzimin e Ramës

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, ka konfirmuar bashkëpunimin afatgjatë me opozitën dhe përfshirjen e plotë të LSI në një lëvizje të mirëorganizuar opozitare që ka synim final largimin e Kryeministrit Edi Rama.
“Takimi i djeshëm me zotin Basha finalizoi dhe kornizoi një bashkëpunim të mëtejshëm të LSI në të ardhmen, tha Kryemadhi sot për mediat, gjatë konferencës së parë për shtyp këtë vit.
Fronti opozitar tashmë do të marrë një dimension të ri politik, i cili do të konkretizohet me një bashkëpunim politik me marrëveshje të qarta politike me PD dhe do të ndërtojmë bashkërisht një platformë të qartë politike përsa i përket të ardhmes. Kjo përfshin protestat dhe të gjitha axhendën tonë politike në të ardhmen.
Përsa i përket protestës jemi në diskutim dhe në ngritjen e një axhende të përbashkët, sepse nuk bëhet fjalë për një protestë tashmë, por për një vazhdë protestash, e cila nuk ka të bëjë as me hapjen e Parlamentit dhe as me mbylljen e Parlamentit, por ka të bëjë me problematikat, të cilat përfshijnë dhe kapin shqiptarët duke filluar që nga varfëria, arsimi, shëndetësia, korrupsioni, infrastrukturat, mënyra sesi po menaxhohet një shtet i tillë, sepse po çon drejt varfërisë familjen shqiptare, e cila nuk prodhon gjë tjetër vetëm se varfëria dhe injoranca prodhon nënshtrim, i cili i intereson sa më shumë Edi Ramës.
Ajo ç’ka dua të them, rritja e çmimeve është një nga problemet më të mëdha dhe sot unë kam një kupon tatimor këtu, të një litri naftë në Shqipëri kushton 1750 lekë të vjetra, pra 175 lekë, ju e dini shumë mirë dhe Shqipëria është vend i cili ka prodhim hidrokarburesh, ku ndërkohë kam marrë një kupon me çmimin e naftës në Maqedoni, i cili është një vend që ka një GPD të njëjtë me Shqipërinë. Pra GDP e Shqipërisë është 13.8, Maqedonia e ka 12.8, ka 1 milion banorë më pak, por nafta në Maqedoni bashkë me taksën e karbonit kushton 1225 lekë të vjetra. 58 dinarë, të cilën po ta këmbesh është 1225 lekë. Pra ne, një litër naftë e shesim 525 lekë më shtrenjtë se në Maqedoni. Pra, një vend shumë më i vogël, një vend me 1 milion banorë më pak se Shqipëria, një vend pa resurse turistike që ka Shqipëria dhe një vend i cili ka 800 mijë fuqi punëtore, ndërsa ne kemi 1 milion e 800 mijë fuqi punëtore. Dhe të mendosh që ky vend më i vogël ka edhe të ardhura më të larta, borxhin e jashtëm e ka 26%, ne e kemi 71%.
Pra, fatkeqësia ekonomike, e cila po rrëmben sot këtë vend është një fatkeqësi, e cila nuk ka të bëjë më me politikën, por ka të bëjë me mbijetesën e çdo shqiptari dhe të çdo familje shqiptare. Mendoj që politika duhet të iki, dhe kjo është dhe një nga arsyet që opozita shqiptare do të ridimensionohet komplet ndryshe. Do të ikim nga ambiciet tona politike, por do të dalim tashmë në ambiciet e mbijetesës së një shteti dhe të një vendi.
Edi Rama nuk është më çështje politike, Edi Rama tashmë është çështje kombëtare. Për të shpëtuar të ardhmen e këtij vendi ka vetëm një rrugë, largimi i Edi Ramës”, përfundoi Kryemadhi.