Kreu i Gjykatës së Lartë: Politikanë më kanë kërkuar pushimin e disa çështjeve

Gjykata e Lartë është në kolaps. Këtë ka nënkuptuar kryetari i Gjykatës, Xhezair Zaganjori, i cili prej kohësh ka ngritur disa problematika që shqetësojnë gjyqësorin. Numër i reduktuar gjyqtarësh dhe këshilltarësh ligjorë deri në pamundësi për plotësimin e trupit gjyqësor dhe çështje që akumulohen çdo ditë për shqyrtim. Zaganjori ka folur për “Gazetën Shqiptare” edhe për ndërhyrjen e politikanëve në punët e Gjykatës, duke i kërkuar në mënyrë direkte pezullimin e vendimeve penale për njerëzit e tyre. “Edhe pas gati 30 vjet ndryshimesh, ende politika përpiqet ta trajtojë gjyqësorin apo drejtësinë në përgjithësi, si oborrin e saj. E kur nuk ka bindje,…. Një vendim merr një gjyqtar apo prokuror, e kur ai nuk i pëlqen apo prek interesat e politikës, zbulohet menjëherë e shkuara, deri tek gjeneza personale e ndoshta edhe familjare e gjyqtarit apo prokurorit. Edhe për sa i përket çështjeve konkrete, nuk mund të them se nuk ekziston fenomeni i ndërhyrjes. Ka pasur ndonjë rast që edhe mua më janë drejtuar politikanë të ndryshëm, të cilët në emër të personave të përfshirë në konflikte në zonat e tyre zgjedhore, etj., më kanë kërkuar përshpejtimin e gjykimit, zgjidhjen e konfliktit apo pezullimin e ndonjë vendimi penal. Jam përpjekur t’u shpjegoj se ata nuk mund të ndërhyjnë në çështje konkrete, qoftë si persona privatë apo funksionarë shtetërorë”, ka deklaruar kreu i Gjykatës së Lartë. E megjithatë, Zaganjori nuk ka sqaruar nëse këto ndërhyrje i ka denoncuar pranë Prokurorisë, të cilat godasin rëndë ndarjen e pushteteve në Shqipëri.