KQZ u heq mandatin deputetëve Rakipi dhe Rehovica

KQZ vendosi dje ndërprerjen e mandatit për dy deputetët Aqif Rakipi të PDIU dhe Gledion Rehovicës të LSI-së. Vendimi është marrë me 5 vota pro. Prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin e PDIU-së, Rakipi dhe të LSI-së, Rehovica pasi prekeshin nga ligji i dekriminalizimit. “KQZ me 5 vota pro vendos të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të deputetit, për Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi”, lexoi vendimin kryetari i KQZ-së, Klement Zguri. Në një reagim për mediat, Aqif Rakipi e quajti të turpshëm vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit si deputet i PDIU-së. Ai akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se mori një vendim “jo transparent dhe me dyer të mbyllura”. Anëtari i KQZ-së Gëzim Veleshnja nuk mori pjesë në votim. Para votimit u dëgjuan palët mbrojtëse. Deputeti Aqif Rakipi përmes avokatit të tij mbrojtës kërkoi pezullimin e procedurës administrative në KQZ për ndërprerjen e mandatit deri në një vendim nga Gjykata Administrative e Apelit. “Në këtë gjykatë deputeti Rakipi ka kërkuar shfuqizimin e të vetmes bazë ligjore për të cilën kërkohet ndërprerja e mandatit. Nëse shfuqizohet ky veprim, atëherë lidhet drejtpërdrejtë me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit”, deklaroi avokati mbrojtës Theodhori Sollaku. Por kjo kërkesë e hedhur në votim nga anëtarët e KQZ u hodh poshtë. Më pas KQZ vijoi shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë ndaj deputetit Rakipi. Avokati kërkoi mospranimin e kërkesës së Prokurorisë me pretendimin se nuk ka sjellë asnjë fakt të ri, por dhe se nuk ka shkak për ndërprerje mandati. “Prokuroria ka dështuar se ka bërë fshehje të qëllimshme të identitetit tjetër në formular. Nuk ka ardhur asnjë fakt i ri nga Prokuroria. Pse nuk sjellin vendimin që ka marrë Prokuroria italiane për klientin tim, bëhet fjalë për një vepër penale mbajtja e sendeve të vjedhura. Duhet të provosh që dihet që janë sende të vjedhura”, deklaroi Sollaku.

Akuzat mbi dy deputetët

Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte në Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj. Më 3 nëntor të atij viti është raportuar në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996. Këto fakte të fshehura u zbuluan nga hetimi i thelluar, ndërkohë që deputeti i PDIU-së e kishte detyrim ligjor të tregonte në formularin e vetëdeklarimit nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale apo nëse ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale. Përgjigjja e tij në formular ka qenë “Jo”. Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, me të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani”, bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.