Kompensim nëse vonohet avioni

Vonesat në fluturime apo anullimi i tyre nga kompanitë ajrore nuk është diçka e panjohur. Për ata që zgjedhin të udhëtojnë shpesh, të paktën një herë ju është dashur të presin në stolat e aeroportit për një zgjidhjeje. I tillë ka qenë dhe rasti i atyre që kishin prerë një biletë për fluturimin e linjës Tiranë-Verona në datë 1 dhjetor 2017 kur është dashur të presin 10 orë në aeroport.
Por a e dini se për këto raste mund të plotësohet një formular ankese për të kërkuar të drejtat? Pasagjerët e fluturimit Tiranë-Verona e kanë plotësuar këtë formular dhe Autoriteti i Aviacionit Civil bëri me dije se kompania ajrore ka pranuar ankesën, duke ju dhënë të drejtën e kompensimit në vlerë monetare.
“Autoriteti i Aviacionit Civil njofton të gjithë pasagjerët e fluturimit të linjës Tiranë-Verona, nr. fluturimi BV2235 të dt 01 Dhjetor 2017, se formulari i ankimimit për vonesën 10 orë ndaj kompanisë, është pranuar.
Pas insistimit nga Autoriteti Aviacionit Civil, pasagjerët që plotësuan formularin e ankimimit në 01.12.2017, do të kompensohen në vlerë monetare nga kompania për vonesën. Ftojmë gjithë pasagjerët që plotësuan formularin të kontaktojnë shërbimin e klientit të kompanisë, në numrat e telefonit: +390698956666 ose me email: customercare@blu-panorama.com” thuhet në reagimin e AAC.
Autoriteti i Aviacionit Civil nga ana tjetër ka kërkuar që qytetarët për çdo rast të plotësojnë formularin.
“Autoriteti i Aviacionit Civil apelon gjithë pasagjerët se për çdo ankesë për vonesa ose anullime fluturimesh nga kompanitë ajrore, të mos hezitojnë, por të plotësojnë formularët e ankimimit, dhe t’i dërgojnë te kompanitë përkatëse, për të mbrojtur të drejtat e tyre”, përfundon Autoriteti.