Kokëdhima: Skenari i qeverisë për falimentimin e bizneseve të vogla

Kreu i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka denoncuar skenarin djallëzor të qeverisë për falimentimin e bizneseve të vogla. Në deklaratën e Kokëdhimës theksohet se qeveria po përgatit falimentin e mijëra bizneseve të vogla, pasi pengojnë zgjerimin e supermarketeve dhe qendrave tregtare në pronësi të miqve të kryeministrit Rama. “Sot, në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin mbi 90 mijë subjekte, që sigurojnë bukën e gojës përmes dyqaneve të vogla që ata kanë. Nuk i bien në qafë askujt, punojnë me ndershmëri dhe nuk janë barrë për shtetin, që përndryshe do të detyrohej t’u paguante ndihmë sociale si të papunë. Pikërisht për këtë kategori biznesesh, qeveria ka përgatitur një skenar të errët për t’i falimentuar. Arsyeja: Ato po pengojnë zgjerimin e rrjeteve të mëdha të supermarketeve dhe të qendrave tregtare, që janë në zotërim të miqve të kryeministrit. Metoda që po përdor qeveria është djallëzore dhe shitet si një aksion kundër informalitetit. Nga data 1 prill, bizneset e vogla do të futen në skemën e TVSH-së. Tatimet i kanë paralajmëruar subjektet që të bëjnë inventarët dhe më pas do të fillojnë kontrollet e imtësishme. Pjesa më e madhe e tyre nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë barrës së shtuar fiskale, procedurave të komplikuara administrative së bashku me presionin tatimor dhe do të jenë të detyruara të mbyllen. Futja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së nuk e zvogëlon evazionin, përkundrazi do e rrisë atë dhe do i nxjerrë bizneset e vogla nga tregu. Pikërisht, kjo i intereson qeverisë, të mbeten sa më pak dyqane të vogla në vend, që njerëzit të detyrohen të blejnë te rrjetet e mëdha të supermarketeve e dyqaneve!”