Juventus, sytë nga Ozil

Juventusi është i gatshëm të lëvizë dhe të bëjë ofertë për Mesut Ozil, nëse lojtari i Arsenalit nuk i bashkohet Manchester United në merkaton e janarit, shkruan “Corriere dello Sport”. Turko-gjermani është jashtë kontratës në fund të sezonit dhe është lidhur me një ribashkim prej 40 milionë eurosh me trajnerin e tij të Real Madridit, Jose Mourinho, tashmë në “Old Trafford”. Megjithatë, nëse transferimi në fjalë nuk materializohet, atëherë Juventusi, i cili ka qenë admirues afatgjatë i Ozilit, do të kërkojë të krijojë një paketë për të nënshkruar me mesfushorin si një transferim i lirë dhe t’i ofrojë atij mundësinë për të luajtur në një ligë të re. Është një ide që rikthehet në skenë, në fakt. Dhe ndoshta nuk është rastësi që kthehet tani, sepse kushtet ekonomike ideale po piqen te bardhezinjtë, në përpjekje për t’u përballur me operacionin. Një marrëveshje e tillë ka, gjithsesi, jo pak “nëse”, që nuk varen direkt nga Juventusi.
Mesut Ozil do të largohet nga Arsenali për pesë muaj: në moshën 29-vjeçare, ai nuk do të rinovojë kontratën e tij, që i përfundon në qershor, pas pesë sezonesh me “Topçinjtë”, me të cilët ka fituar 3 Kupa angleze dhe 2 “Shields Community”. Juventusi e ndjek kampionin gjerman prej tri sezonesh. Bardhezinjtë nuk janë shprehur me dashje, por e ndjekin atë, madje edhe nga shumë afër. Herën e fundit, një vit e gjysmë më parë, kur dukej se Arsenali mund të dyfishonte pagën prej 8 milionë eurosh (duke përfshirë bonuset), u mendua për ta rivendosur në fokus të merkatos. Nuk ka qenë një pistë e suksesshme deri tani, por mbetet të kuptojmë se cila mund të jetë e ardhmja e numrit 11, që e konsideron aventurën e tij të mbyllur në Londër. Ne nuk po flasim për një operacion “të nxehtë” dhe më pak se kurrë të lehtë. Ozil është në “piacën” e futbollit europian, në radhë të parë i kërkuar nga Manchester United i Mourinhos, i cili ka një vlerësim të pafund për lojtarin, që e ka trajnuar te Real Madridi.