Grabitja nga maskat në Korçë, pasagjerja në makinë ishte police

Dy ditë pas grabitjes me maska dhe armë të mjetit tip “Benz”, Policia e Korçës nuk ka rënë në gjurmë të dy autorëve. Edhe pse në zonën ku ndodhi grabitja po vijojnë kontrollet në një perimetër të gjerë, deri tani policia, nuk ka mundur të gjejë as gjurmë të mjetit të grabitur dhe as të autorëve. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se 23 -vjeçarja, e cila mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ishte në shoqërinë e të riut, që ju grabit makina, është efektive policie. Ajo ka deklaruar para kolegëve, se nuk ka pasur konflikte dhe nuk i njihte autorët e grabitjes. Policia dyshon se mjeti i grabitur mund të çohet për pjesë këmbimi në pika servisi jashtë Qarkut të Korçes. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, duke ofruar 200 mijë lekë të reja për informacione që çojnë në zbulimin e vendndodhjes së mjetit, apo autorëve.
Burime thonë se po hetohet në pistën e grabitjes, por ka dyshime se autorët kanë njohje me 23-vjeçaren, e cila ishte brenda në automjetin e grabitur. Policia e Korçës është tepër e rezervuar në dhënien e informacioneve. Dyshohet se autorët janë larguar jashtë kufirit. Dhjetëra postblloqe policie janë ngritur në të gjithë qarkun për kapjen e autorëve por ende nuk ka persona të shoqëruar apo të dyshuar për ngjarjen.
Grabitja me armë ndodhi në rrethinat e qytetit të Korçës. Në vendin ku u grabit mjeti janë gjetur edhe 2 (dy) gëzhoja të kalibrit 7.62mm. Dyshohet që grabitësit kanë qëlluar në ajër. Më pas kanë goditur edhe 35-vjeçarin në fytyrë.