Grabitet me armë banka në mes të ditës në Tiranë, shteti ka rënë

Grabitet një bankë në mes të ditës dhe në mes të Tiranës. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 14:05 minuta brenda ambienteve të Hipotekës pranë ish-Stacionit të Trenit në një zonë, ku forcat e policisë janë të shumta në numër. Dy persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në ambientet e bankës, duke terrorizuar punonjësit dhe nën kërcënimin e armëve morën paratë e arkës dhe u larguan me shpejtësi.
Policia tha se, ishte një grabitës i armatosur dhe i maskuar, por sipas burimeve ai ka patur edhe një bashkëpunëtor që e priste jashtë godinës. Maskat kanë marrë një shumë të madhe parash dhe janë larguar me shpejtësi me një makinë që i priste jashtë. Policia nuk e deklaron shumën e parave të grabitura, por dëshmitarë në vendngjarje thanë se maskat kanë mbushur dy çanta të mëdha me para.
Dëshmitarët në vendngjarje bënë të ditur se, grabitësi ka hyrë në ambientet e Hipotekës i maskuar dhe me pistoletë në dorë. Ai është drejtuar fillimisht nga sportelistja e filialit të bankës, duke e kërcënuar me pistoletë dhe më pas ka kërcënuar edhe punonjësit e ADISËS që ndodhet në ambientet e Hipotekës. Grabitësi u ka kërkuar punonjësve të mos lëvizin nga vendi, se për ndryshe do t’i vriste.
Policia tha pas ngjarjes se, njëri prej autorëve që priste jashtë ishte larguar me një automjet tip ‘BMW’ ngjyrë gri, i cili dyshohet të ketë qenë i vjedhur, ndërsa grabitësi tjetër ka ikur në këmbë. Ky i fundit, duke u larguar nëpër disa rrugica, ishte pikasur nga policia në zonën e ‘Don Boskos’. Ai është përballur me patrullën e policisë, duke iu drejtuar armën, po pa qëlluar në drejtim të tyre. Dyshohet se autori i larguar me automjet ka marrë me vete dhe shumën e parave të grabitura.

Pamjet e kamerave të sigurisë

Pas grabitjes me armë zjarri në një bankë të nivelit të dytë brenda ambienteve të Hipotekës në Tiranë, janë publikuar edhe pamjet nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme. Nën kërcënimin e armës, grabitësi arriti të merrte një shumë parash, dhe të largohej më pas me shpejtësi.
Kamerat e sigurisë kanë shënuar edhe kohën kur është parë të largohet grabitësi, ora 14:04:20, i datës 15 janar 2018. Në foto duket një person me kapuç në kokë, i cili pasi kalon rrugën, tenton të largohet me shpejtësi përgjatë trotuarit. Policia tha se, janë ngritur disa pika kontrolli në kryeqytet, por pa ndonjë rezultat.

Grabitësit ende të lirë, u larguan nën hundën e policisë

Policia nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë dy autorët e grabitjes së bankës në mes të ditës. Edhe pse në zonën ku ndodhi grabitja e bankës kishte forca të shumta policore, grabitësit nuk e patën aspak problem të kryejnë krimin e radhës. Madje njëri na ka kërcënuar edhe patrullën e policisë me pistoletë, ndërsa ishte duke vrapuar nëpër rrugica pas kryerjes së grabitjes, ndërsa policia nuk ka bërë asnjë reagim.
Me planin e qartë të grabitjes, dy autorët kanë mbërritur sëbashku pranë ndërtesës së Hipotekës, por vetëm njëri prej tyre është futur në ambientet e filialit të Postës brenda Hipotekës. Kjo është skema e krijuar deri tani për këtë ngjarje të ndodhur në Tiranë rreth orës 14:05. Grabitësi i maskuar, ka terrorizuar punonjësit e filialit të postës dhe në kërcënimin e armës ka marrë një sasi parash që mendohet të jenë rreth 5 milionë lekë të vjetra.
Nga publikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë së zonës dukej një nga autorët e dyshuar të grabitjes, pasi ka dalë jashtë ndërtesës. Nga foto nuk duket qartë fytyra e grabitësit, një mashkull i veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë. Por policia tha se, ekspertët e policisë dhe hetuesit po punojnë për të zbuluar identitetin e tij. Sipas policisë, grabitësi ka qenë me kapuç dhe nën kërcënimin e armës ka vjedhur një shumë të papërcaktuar parash. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, pranë ish-Stacionit të Trenit mesditën e djeshme, ndërsa shuma që ka marrë ka qenë e konsiderueshme.
P
osta Shqiptare rrëzon versionin e Policisë

Policia njoftoi se grabitja ka ndodhur brenda ambienteve të zyrave të Hipotekës, në filialin e Postës Shqiptare, por Posta ka rrëzuar versionin e Policisë. Në njoftimin për media, Posta sqaron se është grabitur banka e nivelit të dytë që ndodhet brenda Hipotekës.
“Posta Shqiptare Sh.A, u njoh me lajmin e publikuar në disa media, në të cilin pretendohej “Grabitja e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës, Tiranë”, për të cilin sqarojmë dhe saktësojmë: Posta Shqiptare Sh.A u informua në lidhje me një grabitje që ka ndodhur në një Bankë të Nivelit të Dytë, në ambientet e sporteleve të zyrave të pritjes të Hipotekës, Tiranë. Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, Sigurimi Postar dhe Policia e Shtetit, fatmirësisht rezulton se nuk ka patur dëmtime fizike në njerëz, dhe saktëson se kjo grabitje nuk ka ndodhur në Zyrën e Shërbimit Postar që operon në ambientet e brendshme të Hipotekës. Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje, Posta Shqiptare dëshiron të informojë dhe të sigurojë të gjithë qytetarët që shërbimi nëpër sportelet e Postës Shqiptare vazhdon normalisht, duke garantuar siguri dhe cilësi maksimale”, thuhet në njoftimin e Postës.

R.POLISI