Frymëzim për një Shqipëri të lirë si ajo që përshkroi “RD” në ditët e para

Lulzim BASHA

Rilindja Demokratike erdhi në jetë së bashku me pluralizmin politik dhe me lirinë e mendimit dhe të shprehjes.
Ajo arriti në skenën politike shqiptare si një uragan i fjalës së lirë, ishte drita e parë në errësirën mendore dhe shpirtërore që mbolli komunizmi.
Asnjë institucion tjetër nuk ka bërë aq shumë për mbjelljen e ideve të demokracisë, të pluralizmit dhe evropianizmit se sa “Rilindja Demokratike”.
Askush tjetër nuk luftoi më shumë dhe më mirë gënjeshtrën, manipulimin, propagandën komuniste.
Askush tjetër nuk ka bërë më shumë se “RD” në fillimet e saj për kultivimin e një brezi të ri njerëzish të medias dhe të fjalës. Shumë nga ata që më vonë luajtën një rol të madh në median dhe demokracinë e vendit e mprehën penën në redaksinë e “RD”-së.
Për të gjitha kontributet e saj për lirinë, “Rilindja Demokratike” do të ketë përherë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë.
Ne do t’u jemi përherë mirënjohës të gjithë atyre që me kurajo dhe vendosmëri e sollën “RD”-në në jetë në kushtet e vështira të dhunës, kërcënimeve dhe terrorit shtetëror:
Preç Zogajt, Frrok Çupit, Mitro Çelës, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Ben Blushi, Dritan Kaba dhe Edi Paloka kanë qenë studentë që punuan fillimisht vullnetarisht që në numrat e parë.
Këshilli i parë botues kanë qenë: Prec Zogaj, Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirjan Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo.
Piktori Mentor Shehu ka qenë faqosësi dhe dizenjatori i parë.
Korrektorët e parë të gazetës: Abdurrahim Këllezi, Agim Fortuzi
Kokën e “RD”-së e punoi: Bujar Marikaj
Në muajt e parë u bashkuan si gazetarë apo kontribues: Visar Zhiti, Genc Tirana, Arben Ruka, Bujar Xhaferri, Filip Çakulli, Skënder Shkupi, Rakip Sulçe, Xhevat Mustafa.
Në këtë përvjetor, dua të përgëzoj të gjithë gazetarët dhe drejtuesit e “RD”-së në vite, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në aktivitetin e saj, por edhe për Shqipërinë.
Kryeredaktorët dhe drejtuesit: Frrok Çupit, Mitro Çelës, Bashkim Trenova, Napolon Roshi, Lorenc Ligori, Xhevat Mustafa, Astrit Patozi.
Por mbi të gjitha dua të falenderoj Bledi Kasmin dhe gazetarët dhe punonjësit e sotëm të “Rilindjes Demokratike”, të cilët me punën e tyre kanë përcjellë vlerat e vërteta të misionit për të cilin “RD” u lind: t’i shërbejë demokracisë dhe interesit publik.
Është tregues i punës së tyre dhe i vitalitetit të “RD”-së që sot pas 27 vitesh “Rilindja Demokratike” është zëri kurajoz i të vërtetës në kushtet e terrorit informativ dhe dhunës propagandistike shtetërore.
Në regjimet autokratike, kur pushteti përqendrohet në një dorë, media merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Por kur edhe media është e kapur, zërat e lirë janë e vetmja shpresë për t’u kthyer tek liria.
“Rilindja Demokratike” është sot një nga të paktat media të lira në Shqipëri. Ajo është ndër të paktat media që është në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo interesave të atyre që grabisin dhe dëmtojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. “RD” nuk lufton për favore, por lufton për interesin publik.
Unë uroj që të mbetet e tillë përherë.
Së fundmi dua të uroj të gjithë gazetarët e Shqipërisë. Festa e “RD”-së është festa e lindjes së fjalës së lirë dhe gazetarisë së lirë në Shqipëri, ndaj ajo është festa e të gjithëve.
Por kjo ditë duhet të jetë edhe ditë e reflektimit për misonin e medias dhe të gjithë intelektualëve të fjalës. Liria, demokracia dhe mirëqeverisja nuk mund të ekzistojnë pa fjalën e lirë dhe pa median e lirë.
Liria nuk mund të ruhet dot nëse njerëzve ju mungon dija, informacioni. Vetëm një popull i mirëinformuar është në gjendje të vetëqeveriset dhe të ruajë demokracinë.
Kjo është nevoja më e madhe që ka sot Shqipëria, por edhe sfida më e madhe e medias. Çdo lloj ndryshimi fillon nga njohja, fillon nga idetë, fillon nga e vërteta. Sot shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për të njohur të vërtetën.
Pesha kryesore në këtë mision u takon njerëzve të medias dhe intelektualëve të fjalës. Ndaj sot dua t’u kujtoj gazetarëve dhe intelektualëve publikë fjalët e Ayn Arendt:
“Në çastin kur nuk kemi më lirinë e medias, gjithçka mund të ndodhë. Ajo që mundëson sundimin e çdo lloj autokracie dhe diktature është se njerëzit nuk janë të informuar. E si mund të kesh një opinion, nëse nuk je i informuar? Nëse dikush gënjen vazhdimisht, pasoja nuk është se ti i beson gënjeshtrat, por se askush nuk beson më në asgjë”.
Ky është një nga qëllimet kryesore të regjimit të sotëm: t’i shkurajojë njerëzit, t’i bëjë pesimistë, t’i bëjë të mos besojnë në asgjë, të mos besojnë tek demokracia, të mos besojnë tek liria, të mos besojnë tek aftësia e tyre për t’u qeverisur, të mos besojnë se mund të ketë ndonjëhere politikë të mirë. Sepse në mosbesim dhe dëshpërim, sundohet më lehtë.
Shqiptarët kanë nevojë për të besuar tek vetja dhe tek e ardhmja. Politika ka rolin kryesor për ta ngjallur këtë besim, por roli i intelektualëve të fjalës dhe të medias është po aq i rëndësishëm.
Ndaj ju uroj të gjithëve me shumë besim dhe frymëzim për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe europiane si ajo që përshkroi “Rilindja Demokratike” që në ditët e para të saj.
Gëzuar.