Fjalë të ndjera!

Ka qenë një nga të hënat më intensive në jetën e Philippe Coutinhos. Më në fund, braziliani ndërkombëtar ka përjetuar prezantimin e tij të shumëpritur, si lojtar i ri i Barcelonës, deri në vitin 2023. Edhe pse një problem muskulor do ta detyrojë që të presë rreth 20 ditë derisa të bashkohet në trajnim normalisht, Coutinho ishte fotografia e lumturisë që herët në mëngjes, kur iu dorëzua testeve mjekësore. Pasi ka përjetuar gjithë madhështinë e pritshme të prezantimit, pas marrjes së dashurisë së më shumë se 10.000 tifozëve në “Camp Nou”, mesfushori 25-vjeçar ka dashur të falënderojë Liverpool-in për pesë vite e gjysmë që ka qenë në “Anfield”. Për ta bërë këtë, ai ka publikuar një foto të tij me fanellën e Liverpool-it dhe një tekst të gjatë:
“Që kur erdha në Liverpool, familja ime dhe unë u ndjemë të mirëpritur dhe kemi bërë shumë miq. Brenda dhe jashtë fushës, ne kemi përjetuar madhështinë e këtij klubi dhe të tifozëve të tij. Ruaj shumë kujtime, që u kanë sjellë lumturi tifozëve të Liverpool-it. Duke filluar të luaj me Liverpoll-in, kuptova madhështinë dhe historinë e klubit, por ajo që mësova me të vërtetë gjatë këtyre viteve ishte zemra dhe shpirti i veçantë i atij vendi, që ka personalitetin dhe karakterin e vet. E lashë Liverpool-in, sepse Barcelona është një ëndërr për mua. Liverpool ishte një ëndërr, që pata fatin ta realizoj dhe i kam dhënë atij pesë vite të jetës sime. Shpresoj që tifozët të kuptojnë se zgjedhja e mundësisë për të përjetuar diçka të re nuk ka të bëjë me nënvlerësimin e rëndësisë së klubit. Asgjë nuk do t’i heqë kurrë nga zemra ime. I dëshiroj vetëm suksese Jurgen (Klopp) dhe ekipit për pjesën tjetër të sezonit e më gjerë. Është një ekip i pabesueshëm dhe ata po përmirësohen.
Ka shumë njerëz që unë dua t’u them faleminderit, por nuk mund të emëroj asnjë individualisht. I gjithë stafi i jashtëzakonshëm i klubit, që ka qenë pjesë e jetës sime në Liverpool, do të më mungojë. Për pronarët, të cilët kanë dhënë kaq shumë. Dhe për shokët e mi të pabesueshëm, të kaluarit dhe të pranishmit, të cilët më kanë ndihmuar të rritem dhe të përmirësohem si lojtar dhe si person. Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve. Çdo gjë që kam arritur nuk do të kishte qenë e mundur pa ju. Dhe së fundmi, tek njerëzit më të rëndësishëm në Liverpool. Për tifozët e Liverpool-it. Unë kurrë nuk mund t’ju falënderoj për gjithçka që më keni dhënë gjatë kësaj kohe. Nuk ka rëndësi se ku shkoj në botë, se për pjesën tjetër të jetës time gjithmonë do të kem në zemër dashurinë për Liverpool. Ju, klubi dhe qyteti gjithmonë do të jeni pjesë e imja. You’ll Never Walk Alone. Philippe”.