Ekzekutimi në Tiranë, mister motori nga u qëllua me armë

Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e Roland (Emiljano) Boçit mbrëmjen e të dielës në Tiranë. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes në zonën e “21 Dhjetorit”, i thanë policisë se kanë parë një motor që ka lëvizur shpejt në zonë në momentin e sulmit me armë ndaj dy të rinjve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:50 të 15 janarit 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, pranë ish-Parkut zonës së “21 dhjetorit”. Në automjet mësohet se ka qenë dhe e dashura e Boçit, e cila mrekullisht ka shpëtuar pa lëndime. Madje mësohet se ka qenë ajo, e cila ka lajmëruar dhe policinë për atentatin.
Emiljano Boçi 32 vjeç u plagos në makinë dhe vdiq, pasi mbërriti në spital, ndërsa miku i tij 27-vjeçari Melvin Disha mbeti i plagosur. Policia po heton pistën e hakmarrjes, pasi viktima ishte dënuar për një plagosje në vitin 2010.
Të dy personat që ranë pre e atentatit ishin kthyer në Tiranë nga Gjermania pak ditë para festave të fundvitit. Ndërsa viktima pak vite më parë kishte dalë nga burgu. Roland Boçi, i njohur edhe me emrin Emiljano, ishte dënuar me 2 vjet burg për plagosje disa vite më parë.
Ekzekutimi mafioz i Emiljano Boçit në Tiranë, sipas policisë dyshohet se ka ndodhur për shkak të prishjeve të pazareve të drogës. Gjithashtu, po hetohet edhe pista e hakmarrjes, ku më herët 32-vjeçari ishte akuzuar për plagosje të rëndë me dashje. Viktima dhe miku i tij që mbeti i plagosur sapo kishin mbaruar drekën tek ky lokal peshku që ndodhet pas Policisë Bashkiake në kryeqytet.
Emiljano Boçi u ekzekutua me dy plumba në kokë nga një atentat i tipit mafioz, në momentin që po ndizte automjetin e tij dhe dyshohet se e gjithë ngjarja u fiksua nga kjo kamerë sigurie. Ndërsa shoku i tij, Melvin Disha arriti të fshihej poshtë sediljes së pasagjerit, duke marrë vetëm një plumb në shpatull. Policia gjeti në vendngjarje pesë gëzhoja pistolete e llojit Zastave.